Arbëri

Pupovci: Duhet marrëveshje me serbët për kurrikulat në gjuhën serbe

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Duakgjin Pupovci ka thënë se nuk janë ende në proces të përgatitjes së kurrikulës në gjuhën serbe, meqë sipas tij, paraprakisht duhet të arrihet marrëveshje me komunitetin serb në Kosovë për integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se në të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhen serbe punohet me kurrikulë të Serbisë dhe sipas tij kjo është një çështje politike.

Ai është përgjigjur në një konferencë për media, ku ka thënë se ende nuk është arritur në pikën ku komuniteti serb në Kosovë të pranojë autoritetin e Republikës së Kosovës në fushën e arsimit, raporton KP.

“Të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe funksionojnë me kurrikulë të Serbisë. Numri i saktë dihet, unë nuk e di përmendsh por mund të gjendet nuk është ai ndonjë problem, mirëpo kjo është një dukuri dhe është një çështje politike thjeshtë sepse ende nuk kemi ardhur në pikën që komuniteti serb të pranojë autoritetin e Republikës së Kosovës në fushën e arsimit. Në fakt sipas ligjit për arsimin në komuna, komuniteti serb ka të drejtë t’i shfrytëzojë plan programet e Serbisë por me disa kushte ligjore, me njoftimin e ministrisë dhe me dhënien mundësi ministrisë që të deklarohet nëse ato programe janë në përputhje ose në kundërshtim me kornizën kurrikulare të Kosovës”, ka thënë Pupovci.

Një kurrikulë në gjuhën serbe e përgatitur nga institucionet e Republikës së Kosovës, Pupovci ka thënë se është fare e lehtë të hartohet nëse ekziston një marrëveshje me serbët e Kosovës.

“Nëse jemi duke përgatitur kurrikula në gjuhën serbe, për momentin nuk ka aktivitet në këtë drejtim sepse mendojmë se paraprakisht duhet të arrihet një mirëkuptim minimal me komunitetin serb para se të fillohet një gjë e tillë, dhe sigurisht që kjo mund të bëhet fare lehtë nëse ekziston një marrëveshje që komuniteti serb të integrohet dhe një vullnet që komuniteti serb të integrohet në Kosovë, jo vetëm në fushën e arsimit por edhe fusha të tjera”, ka shtuar ai.