Arbëri

Mandl: Kosova ka potencial të bëhet Silicon Valley i Evropës

Vjosa Osmani - Lukas Mandl

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka vlerësuar lartë kapacitetin e të rinjve në Kosovë, veçanërisht në fushën e teknologjisë informative.

Mandl të mërkurën ka pasur rastin të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Vjenë.

“Republika e Kosovës është shteti më i ri i Evropës, që ka ende sfida para vetes në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Por, mundësitë e konsiderueshme të Republikës për të ardhmen i inkurajojnë njerëzit të përvjelin mëngët e ta trajtojnë: Angazhimi i madh i shumë kosovarëve është një burim i forcës për ta çuar vendin në një të ardhme të qëndrueshme ekonomike. Shumë specialistë të rinj të IT-së meritojnë të përmenden. Republika e Kosovës ka potencial të bëhet, si të thuash, ngjashëm me Silicon Valleyn e Evropës”, ka thënë eurodeputeti austriak Lukas Mandl, raporton “Kosmo.at”.

Osmani ka vizituar Austrinë këtë javë.

Silicon Valley, që gjendet në San Francisco Bay në Kaliforni, është shtëpi e shumë kompanive start-up dhe kompanive teknologjike.

“Është më e qartë se kurrë se Republika e Kosovës ka miq të përkushtuar nëpër Austri. Falënderoj Lukas Mandelin dhe Ulrike Lunaçekun që na mirëpritën në Asociacionin e Miqësisë Austri – Kosovë, dhe ambasadorin Emil Brix në Akademinë Diplomatike. Ne ndjehemi të përkrahur ndërsa po bëjmë hapa vendimtare”, ka shkruar Osmani në Twitter.