Arbëri

Kalimi i dosjes së çështjes ndaj Gucatit e Haradinajt te trupi gjykues shtyhet për 16 korrik

Kalimi i dosjes së çështjes kundër ish-krerëve të OVL UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, tek trupi gjykues, është shtyrë për datën 16 korrik.

Lajmi është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Po ashtu edhe seanca ndaj Gucatit e Haradinajt që ishte paraparë të mbahet më 25 qershor, është shtyrë për 14 korrik.

“Pas vendimit të sotshëm të panelit të Gjykatës së Apelit, gjykatësi i procedurës paraprake në çështjen Gucati & Haradinaj ka ndryshuar datën e mëparshme për kalimin e dosjes së çështjes tek trupi gjykues, në 16 korrik 2021. Ai gjithashtu urdhëroi ZPS-në që të dorëzojë aktakuzën e korrigjuar deri më 5 korrik dhe Mbrojtjen që të dorëzojë dosjen paraprake (nëse dëshiron ta bëjë këtë) deri më 12 korrik. Gjithashtu, seanca në këtë çështje, e caktuar për këtë të premte, më 25 qershor, shtyhet për datën 14 korrik 2021 në orën 15:00”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.

Gjithashtu në rastin e Gucatit dhe Haradinajt, Zyra e Prokurorit të Specializuar është urdhëruar të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës.

Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të drejtësisë, ndërsa gjenden në paraburgim në Hagë.

Mbrojtja e Gucatit e Haradinajt u ankua në Gjykatën e Apelit se ka mangësi në aktakuzën e tyre dhe Gjykata e Apelit ka urdhëruar ZPS-në të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës.

“Më 23 qershor 2021, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi, pjesërisht, apelet e parashtruara nga Gucati dhe Haradinaj mbi mangësitë e pretenduara në formën e aktakuzës kundër tyre. Duke konkluduar se ka disa mangësi në formën e saj, Gjykata e Apelit urdhëroi që ZPS-ja të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës", thuhet nga Specialja.