Arbëri

Kusari-Lila: Agjendën e dialogut e ka vendosur procesi zgjedhor

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur konferencën “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”.

U.D. e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se me ardhjen e Qeverisë se re dhe presidentes ka ndryshuar bashkë koordinimi dhe uniteti në raport me dialogun.

Sipas saj jo rrallëherë dialogu është bërë mollë sherri mes partnerëve të koalicionit dhe në raport me kryeministrin dhe presidentit.

Kusari-Lila ka thënë se kjo ka treguar se duhet të ketë unitet dhe koordinim.

“Ne mund të kemi bashkërendim edhe mes partive edhe mes institucioneve por mund të mos arrihet diçka për shkak se përballë e kemi një president si Aleksandar Vuçiq. Kurti ka propozuar katër propozime, unë e shoh si hap avancues. Propozimi për këshillin nacional të serbëve në Kosovë është standardi i njëjtë që Serbia e ka përdorur për pakicat e veta. Dy propozimet e tjera siç është marrëveshja e paqes është shumë e rëndësishme. Përderisa është një Serbi që mbetet e hapur me Rusinë dhe Bjellorusinë deri në blerje të armeve, refuzimi i marrëveshjes së paqes tregon për jostabilitetin që Serbia e kërcënon Ballkanin”, ka thënë ajo.

Sipas saj marrëveshja e SEFTA-s paraqet barazi në tregtinë e lirë. Ajo ka thënë se duhet të insistohet në qartësi në proceset që Kosova ndjek.

Kusari ka thënë se marrëveshja e Mini-Schengenit është e dëmshme për Kosovën. Ndërkaq për çështjen e të pagjeturve ka thënë se Serbia duhet të marrë përgjegjësi.

“E shoh të domosdoshëm bashkërendimin e shoqërisë civile në këtë proces”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se përpara do të ecët duke e treguar qartësisht vizionin. Sipas saj Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun por për anën tjetër duhet të jetë dikush që të marrë qëndrim.

“Në mes të së kaluarës dhe të tashmes ka ndodhur një proces zgjedhor i cili e ka përcaktuar agjendë”, ka thënë ajo.

Violeta Haxholli nga KDI ka thënë se dialogu me Serbinë ka qenë sfidë e çdo qeverie që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës .

Nga marsi i vitit 2011 kur kishte filluar dialogu janë bërë 35 marrëveshje me 21 marrëveshje bazë.

“Qeveria e re ende nuk ka treguar se çfarë do të bëjë e këto marrëveshje. Kjo vazhdon të jetë një nga temat qendrore në planin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Tani faza e dialogut konsiderohet të jetë në fazë finale. Në këtë fazë Kosova dhe Serbia kanë mendime të ndryshme se si duhet të arrihet marrëveshja. Nuk përmenden temat që do të ngritën në këtë proces, meqenëse katër propozimet e tij nuk u pranuan nga Kurti”, ka thënë ajo.

Haxholli ka shtuar se të gjitha partitë politike duhet të bashkëpunojnë për dialogun.