Arbëri

Trupat që do ta bëjnë vetingun, paraprakisht do të futen në skanerin ndërkombëtar

Descriptive Text

Anëtarët e mekanizmave vendorë që do ta bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është paraparë që të përzgjidhen e edhe të kalojnë nëpër skanerin ndërkombëtar. Drafti i koncept-dokumentit për vetingun, identifikon INTERPOLIN si një nga organizatat e specializuara që mund të përfshihet në proces

Vetingu i parë në sistemin e drejtësisë është paraparë të nisë me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe të vazhdohet nga vendorët.

Bazuar në draftin e koncept-dokumentit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, e një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, organi kompetent për zhvillimin e vetingut do të jetë një mekanizëm i pavarur, i përbërë prej tri paneleve. E pikërisht përbërja e këtij mekanizmi është paraparë të futet në skanerin ndërkombëtar.

“Anëtarët e mekanizmit do të vetohen fillimisht nga një organ me asistencë ndërkombëtare para rekrutimit dhe në mënyrë periodike”, thuhet në këtë dokument. “Anëtarët e paneleve do të zgjidhen nga Kuvendi dhe Presidenca. Po ashtu, puna e paneleve do të monitorohet vazhdimisht nga shoqëria civile, publiku i gjerë dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë”.

Por, nëse vetingu ecën pa ndryshime kushtetuese paraprake, atëherë parashihet të ngrihen trupa vetuese në kuadër të sistemit aktual gjyqësor dhe atij prokurorial, anëtarët e të cilëve do të zgjidheshin pas intervistimit dhe rekomandimit që do të jepej nga ndërkombëtarët.

Kjo për shkakun se trupat e këtillë do të funksiononin në kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, e në kohën kur është paraparë të ngrihen anëtarët e të dyja këshillave nuk janë ende të vetuar.

“Këshillat duhet të kërkojnë nga këto trupa ndërkombëtare që procedura e vetingut të kryhet nga ato organizata, siç mund të jenë për shembull INTERPOL apo organizata të tjera të specializuara në kryerjen e testimeve të këtilla”, thuhet në këtë draft të koncept-dokumentit. “Pas përfundimit të procesit verifikues, organizata me përbërje ndërkombëtare do të dalë me rekomandime për emrat që propozon të zgjidhen nga Këshillat, për të qenë anëtarë të këtij mekanizmi”.

Krahas vetimit, është elaboruar edhe formula se si mund të zhvillohej procesi i përzgjedhjes së njerëzve që do t’i vetojnë gjyqtarët e prokurorët.

“Procedura përmes së cilës parashihet të bëhet përzgjedhja e anëtarëve të mekanizmit, ndonëse do të niset me konkurs dhe përfundohet nga vetë Këshillat, do të ketë përfshirje të madhe të mekanizmave gjegjës ndërkombëtarë. Kështu, Këshillat do të mund të kontraktojnë apo të bëjnë marrëveshje mirëkuptimi me trupa apo organizata ndërkombëtare, për të kërkuar ndihmën e tyre në përzgjedhjen e anëtarëve të mekanizmit”, thuhet në draft. “Një model i ngjashëm me këtë mund të shihet aktualisht në Kosovë në modalitetet e gjetura për përzgjedhjen e pozitave të larta drejtuese, procedura këto në të cilat intervistimi dhe rekomandimi vjen nga trupa me përbërje ndërkombëtare (shembull me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë)”.

Në të dyja opsionet, është propozuar të ngrihen tri panele vlerësimi.

I pari do të bënte vlerësimin profesional të gjyqtarëve, prokurorëve dhe nëpunësve në pozita të larta në nivel profesional. Shumica e anëtarëve të këtij paneli do të ishin gjyqtarë e prokurorë, por parashihet prezencë edhe e profesionistëve të fushës së drejtësisë, e për të cilët theksohet se duhet të jenë “të shquar dhe me integritet të lartë dhe të cilët nuk kanë pasur pozita politike për një kohë të caktuar para kandidimit në këtë pozitë”.

Paneli tjetër do të jetë ai për verifikim të pasurisë së kandidatëve që u nënshtrohen vetingut. Paneli do ta ketë objekt vlerësimi deklarimin dhe kontrollin e pasurive, ligjshmërinë e burimit të krijimit të saj, përmbushjen e detyrimeve financiare, përfshirë interesat private për të vetuarin.

Ndërkaq, Paneli i tretë do të jetë ai për vlerësim të integritetit, që kryesisht do të fokusohet te të dhënat e lidhura për personalitetin e kandidatëve. Paneli do të jetë përgjegjës për të siguruar informatat mbi lidhjet dhe afërsitë politike të kandidatit, pastaj informatat mbi shëndetin e subjektit nën vetim, përkatësisht informatat mbi varësitë apo sëmundje që mund të ndikojnë në aftësinë për të gjykuar, apo devijime të tjera të lidhura me personalitetin, të diagnostikuara profesionalisht, e që ndikojnë në integritetin e kandidatit.

Është paraparë të ngrihet edhe organi për ankimim, që do të funksiononte brenda mekanizmit për veting, si instancë e dytë. Edhe përbërja e këtij organi është sugjeruar të vetohet paraprakisht nga një organ i jashtëm me prezencë ndërkombëtare, i cili edhe do ta monitoronte punën e mëpastajme.