Arbëri

Vitia i ankohet BE-së për mos përfshirjen e Kosovës në listën e udhëtimeve

Descriptive Text

Kosova ka shënuar rënie të ulët të vdekjeve, hospitalizimeve dhe rasteve pozitive nga Covid 19, por kjo nuk ka bërë që vendi të përfshihet në listën e udhëtimeve të BE-së.

Këtë shqetësim e ka ngritur ministri i Shëndetësisë Arben Vitia gjatë një takimi që ka pasur me udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Tomáš Szunyog.

Në këtë takim Vitia njoftoi Szunyog për situatën epidemiologjike në vend, procesin e vaksinimit masiv, dhe e informoi rreth përgatitjeve sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit.

“Me theks të veçantë Ministri Vitia përmendi indikatorët kryesor të gjendjes epidemiologjike si tregues kryesor të cilët janë: Rënia e dukshme e rasteve të vdekjes dhe e hospitalizimeve, numrin e ulët të rasteve, shkallën e ulët të pozitivitetit nën 1% dhe indikatorë të tjerë që e tregojnë situatën epidemiologjike si shumë të mirë dhe stabile për momentin. Ministri Vitia gjithashtu shprehu shqetësimin se përkundër kësaj, Republika e Kosovës nuk është në listën e udhëtimeve “Free COVID” të BE-së, pavarësisht situatës shumë të mirë epidemiologjike. Trajtimi do duhej të jetë i barabartë për të gjitha shtetet e rajonit sidomos kur janë indikatorë të matshëm dhe të cilat Republika e Kosovës i ka përmbushur” është thënë në njoftimin e MSH-së.

Në anën tjetër, Szunyog u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe së bashku me Ministrin Vitia u dakorduan për të vazhduar tutje bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës në përmirësimin dhe përforcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.