Arbëri

Serbia akuzon Kurtin se po dëshiron ta prishë procesin e dialogut

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk është i interesuar në çështjen e të pagjeturve, por vetëm se dëshiron ta prishë procesin e dialogut.

Në një intervistë për “TV Prva”, një ditë pas takimit të Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Petkoviq ka thënë se Kurti ka shkuar në Bruksel “me qëllimin që të prishë dialogun”.

Ai ka thënë se Serbia u është përgjigjur “21 thirrjeve të Prishtinës kur bëhet fjalë për lokacionet e dyshimta për të zhdukurit”.

“Kurti erdhi në Bruksel për të prishur dialogun. Ai ka irrituar palën serbe me sjelljet dhe veprimet e tij”, ka thënë ai. “Për ne, marrëveshjet janë kyçe për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.”

Petkoviqi ka akuzuar Kurtin se “s’ka dashur të dëgjojë, kur është folur për sigurinë e serbëve në Kosovë”.

Duke folur për përgjigjen e Vuçiqit se “kurrë s’do ta njohë Kosovën”, pas pyetjes së Kurtit, Petkoviq ka thënë se te kryeministri i Kosovës përgjigja nuk është pritur mirë.

Shpërthimin e Kurtit, Petkoviq e ka lidhur me arsyet e Serbisë “për frikën për sigurinë e njerëzve tanë”.

Të martën u mbajt takimi i parë mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel. Kosova aty bëri katër propozime, por nuk u gjet pajtimi për asnjërën. Të gjitha palët në takim e cilësuan si të vështirë përballjen mes Kurtit e Vuçiqit.