Arbëri

ZKA: ASHNA nuk i raportoi pasuritë kapitale dhe pati vonesa në pagesa

Descriptive Text

Vonesa në pagesa, mosdeklarim i duhur i pasurive kapitale janë disa nga të gjeturat e Zyrës Kombëtarë të Auditimit gjatë një auditimi që i ka bërë Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Sipas këtij raporti, në 16 pagesa në vlerë 424,619 euro kishte vonesë në pagesa nga 18 deri 294 ditë, pas afatit të lejuar për pagesë prej 30 ditësh.

Në njërën prej mostrave të ZKA-së thuhet se pas pagesës së një fature në vlerë 37,927€, pjesa e mbetur e faturës së papaguar në vlerë 20,000€ nuk ishte raportuar në raportin e obligimeve të papaguara në PFV.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe punës me staf esencial.

Megjithatë sipas auditorit mos raportimi i obligimeve mujore ndikon në raportimin jo të drejtë, ndërsa vonesa në pagesën e obligimeve rrit rrezikun për shpenzime shtesë gjyqësore apo të përmbarimit.

Gjatë testimeve auditori gjithashtu ka gjetur se ASHNA nuk kishte regjistruar në regjistrin e pasurive kapitale mbi 1,000€ pasuritë në vlerë 85,812 euro.

Ndër to ishte pagesa për 'projektin supply installation of radiocommuniacations system' në vlerë 46,174 euro, pjesë e pagesës nga fatura 429,032 euro.

Një tjetër pasuri e paregjistruar ishte pagesa për projektin APP/TËR në vlerë 37,927 euro dhe një TV LED 75 Ultra HD në vlerë 1,711 euro.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i pagesave në fund të vitit dhe kontrollit jo të duhur që pagesat e blerjes së pasurive të regjistrohen në regjistrat përkatës, si dhe për shkak të mos pagesës së faturave si rezultat i rënies së të hyrave që ndërlidhet me ndalimin e fluturimeve prej të cilave ASHNA gjeneron të hyra” thuhet në raportin e auditimit.

Megjithatë auditori tërheq vërejtjen se mosregjistrimi i pasurive në regjistrat përkatës ndikon në prezantim jo të drejtë të pasurisë në PFV-të e ASHNA-së duke i nënvlerësuar ato.

ASHNA kishte buxhetin përfundimtar më të lartë se buxhetin fillestar për 53,307euro, dhe kjo rritje ishte rezultat i vendimit të qeverisë.

Të hyrat e realizuara nga ASHNA në 2020 ishin në vlerë 2,472,980€. Ato sipas auditorit kanë të bëjnë me shërbimet terminale apo dhënies së shërbimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.