Arbëri

Gjysma e trupave të KFOR-it janë vaksinuar – s’tregohet me cilat vaksina

Descriptive Text

Derisa komunat në Kosovë janë në përgatitje e sipër të vaksinimit masiv të qytetarëve – i paralajmëruar se do të fillojë më 15 qershor – gjysma e ushtarëve të KFOR-it tashmë kanë përfunduar një proces të tillë. Por, KFOR-i nuk ka bërë të ditur se sa është numri i saktë i ushtarëve e personelit civil të vaksinuar, e as llojin e vaksinave. “Vaksinimi i personelit ushtarak është një e drejtë sovrane e aleatëve individualë të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it

Gjysma e ushtarëve të KFOR-it, që janë prezentë në Kosovë, tashmë kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, derisa në pritje të vaksinimit me dozën e dytë është edhe gjysma tjetër.

Por, nga KFOR-i nuk kanë pranuar të tregojnë se me cilat vaksina është kryer procesi i vaksinimit te ushtarët e personeli civil.

Megjithëkëtë, në një përgjigje me shkrim, është bërë e ditur se vaksinimi i ushtarëve është e drejtë sovrane e aleatëve.

“Vaksinimi i personelit ushtarak është një e drejtë sovrane e aleatëve individualë të NATO-s. Trupat e KFOR-it janë vaksinuar në përputhje me dispozitat e tyre kombëtare për këtë çështje. KFOR-i ka siguruar mbështetje logjistike për shpërndarjen e vaksinave në trupat e saj. Deri më tani, pothuajse gjysma e kontingjenteve të KFOR-it e kanë përfunduar procesin e vaksinimit; gjysma tjetër ka marrë dozën e parë dhe në javët në vijim ne do të fillojmë t’i bëjmë rregullimet e nevojshme për shpërndarjen e dozës së dytë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KFOR-it, Antonio Minutella, i cili ka shtuar se “personeli civil dhe i vendosur, që aktualisht janë duke shërbyer në KFOR, ndjekin rregullat dhe rregulloret e kombeve të tyre përkatëse, që rregullojnë shpërndarjen e vaksinave në përgjigje të pandemisë.”

Krahas tyre, deri më tani, mbi 97 mijë e 500 persona kanë marrë vaksinën antiCOVID në Kosovë. Procesi i vaksinimit ka vazhduar edhe këtë të shtunë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, si dhe në qendrat e tjera në vend. Sipas paralajmërimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, të bëra ditë më parë, vaksinimi masiv kundër pandemisë pritet të fillojë të hënën, më 15 qershor. Përgatitjet e nevojshme për këtë proces tashmë i kanë bërë komunat e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Rrezart Halili, ka treguar se tanimë është bërë edhe trajnimi i profesionistëve shëndetësorë dhe se i kanë dakorduar planet me Ministrinë e Institutin për mbarëvajtjen e procesit.

“Një numër i madh i stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është trajnuar në aspektin e ofrimit të shërbimeve për imunizimin për COVID-19. Besoj që me ndihmën e MSH-së dhe me ekipet që janë në dispozicion momentalisht do të ofrojmë një shërbim cilësor”, ka thënë Halili.

Edhe në Mitrovicën Jugore kane thënë se i kanë kryer të gjithë përgatitjet e nevojshme.

“Pjesën teknike veç kemi arritur ta rregullojmë, vaksinimi bëhet këtu në Qendrën e Kulturës, ku ambienti është i përshtatshëm”, bëri të ditur shefja e sektorit të vaksinimit në këtë komunë.

Rritjen e ekipeve nga 8, sa e kanë aktualisht, në 18 synon ta bëjë Komuna e Prizrenit, me fillimin e vaksinimit masiv. Drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Hoxhaj, ka treguar se vaksinimi do të realizohet në Sallën e Sporteve në Prizren, për të cilën ka thënë se është hapësira më e favorshme për këtë proces.

“Ne jemi të përgatitur për këtë vaksinim. I kemi ekipet e vaksinimit, të cilat janë profesionistë të trajnuar, dhe për momentin kemi 8 ekipe që janë duke e kryer vaksinimin, një ekip e katër infermierë”, ka thënë Hoxhaj.

E nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se tashmë ka përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, si dhe rritja e kapaciteteve edhe me 190 specializantë për vaksinim.