Arbëri

Hyseni për Haradinajn: “Sedërhollë” e me “deklarata kundër çdo logjike”

Sjellja e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me ish-kryeministrin, kishte zënë vend në raportin që koordinatori për dialogun, Skënder Hyseni, e kishte hartuar për shefin e tij, Avdullah Hoti, raport ky i publikuar nga udhëheqja e re e qeverisë, të premten.

“Sedërhollë” e “me deklarata kundër çdo logjike”, thotë se ka qenë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, karshi udhëheqësit të koalicionit qeverisës vitin e kaluar, pas emërimit të Hysenit në krye të delegacionit të ekspertëve për bisedimet me Serbinë. Sipas Skënder Hysenit, derisa pozita e koordinatorit ka marrë mbështetjen edhe të ministrave të AAK-së, vendosja për emërimin e tij ka qenë në diskrecion të kryeministrit.

“Pas kthimit nga Brukseli, koordinatori shtetëror filloi një seri takimesh informuese dhe bashkërenduese me përfaqësues të forcave parlamentare politike. Siç nuk pritej hiç, Ramush Haradinaj kishte filluar të jepte deklarata që shkonin kundër çdo logjike racionale politike. U tregua shumë sedërhollë me kryeministrin Hoti. Deklaronte se kryeministri Hoti nuk e kishte konsultuar paraprakisht për emërimin e koordinatorit. Nuk kishte të drejtë, sepse vendimi për emërimin e një koordinatori shtetëror për dialog ishte votuar në mënyrë unanime në qeveri. ‘Për’ kishin votuar edhe të gjithë ministrat nga AAK-ja, përfshirë edhe zv.kryeministrin Besnik Tahiri. Pra, pas këtij votimi mbetej tërësisht në diskrecion të kryeministrit Hoti të përcaktohej për emrin”, thuhet në raportin 29-faqesh të Hysenit.

Por, Hyseni në raport nuk i ka përfshirë edhe përplasjet mes ministrave të AAK-së dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar, që morën pjesë në takimin e Washingtonit. Më 4 shtator është raportuar se si rezultat i mospajtimeve mes vete, delegacioni kosovar është vonuar në takimin në Shtëpinë e Bardhë. Përmes reagimeve në Facebook, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte thënë se nuk do ta lejojnë “nënshkrimin e marrëveshjeve trilaterale, ku Serbia është palë karshi Kosovës”, si dhe i kërkoi kryeministrit atëkohë Avdullah Hotit që të mos e bëjë liqenin e Ujmanit pjesë të marrëveshjes. Madje, Haradinaj kishte “kërcënuar” edhe me prishje të koalicionit, por që ishte tërhequr më pastaj nga fjalët e kërkesat e tij dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes e kishte përshëndetur atë me arsyetimin se shqetësimet e tij janë marrë parasysh.

Madje, të gjitha zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, koordinatori për dialogun i ka përmbledhur në pak fjali, që të gjitha sqarime teknike të shkuarje-ardhjes.

“Më 3 shtator, në orën 9:30, nis takimi në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa të nesërmen, më 4 shtator, në Zyrën e presidentit Trump dhe në praninë e tij u nënshkrua marrëveshja. Nga Washingtoni, i gjithë delegacioni u largua pasditen e 5 shtatorit me United Airlines, për të arritur në Bruksel të nesërmen, e diel, në orën 7 të mëngjesit.”

Koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, i emëruar nga Qeveria Hoti, ka lavdëruar raportet me Nismën Socialdemokrate e me partinë në opozitë, PDK-në. Por, punët mirë thotë se nuk i kanë pasur me Vetëvendosjen. Përveçse përmend dështimet për t’u takuar me kryetarin Albin Kurti, Skënder Hyseni, lidhur me ngecjet në procesin e bisedimeve, fajëson VV-në. “Nuk mund të mohohej nga askush që sadopak kishte lidhje me realitetin politik në Kosovë se fuqizimin e mirëfilltë të pozicionit negociator në Bruksel po e dëmtonte seriozisht gara qesharake midis liderëve në Prishtinë. Këtë situatë e bënte akoma më shqetësuese sjellja, si gjithmonë, përjashtuese e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila si rëndom vazhdonte të ishte apriori në raporte konfrontuese me çdo gjë dhe me të gjitha forcat e tjera politike”, thuhet në raportin e Hysenit.

Lidhur me raportin, KOHA ka provuar ta marrë një qëndrim nga vetë koordinatori Skënder Hyseni, ashtu si edhe nga ish-kryeministri Avdullah Hoti e nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por të shtunën nuk ka marrë përgjigje.