Arbëri

PDK-ja kandidon për kryetar të Suharekës një nga drejtorët e MASHTI-t

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kandiduar për kryetar të Suharekës, Murtez Zekollin, drejtori i administratës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Zekolli është nominuar nga Dega e PDK-së në Suharekë për postin e të parit të kësaj komune. Ai është nominuar të mërkurën.

“Kryesia e PDK-së, Dega në Therandë, unanimisht nominon kandidatin për kryetar komune prof.dr. Murtez Zekollin. Situata politike e Degës, si dhe rezultati i zgjedhjeve të fundit, kanë bërë që Kryesia e Degës në Therandë të mendojë për zgjedhjet lokale dhe të japë mundësi alternativave të reja. Nënkryetari i Degës, Murtez Zekolli, ka qenë dhe mbetet njëra prej figurave më unike dhe progresive e Partisë Demokratike në Therandë”, thuhet në njoftimin e Degës së PDK-së në Suharekë.

Zekolli në të vërtetë ishte një nga opsionet për zëvendës të sekretarit të MASHTI-t. Rolin e zëvendëses së sekretarit të MASHTI-t e mori Fadile Dyla, mbesa e deputetit të Vetëvendosjes, Jahja Kokaj.

Ai është një nga disa drejtorë të MASHTI-t që kanë të kaluar politike, siç njoftojnë burime të KOHËS. Në këtë listë është edhe Agim Bërdyna, ish-ud i sekretarit të MASHTI-t. Ai është pjesë e MASHTI-t që nga viti 2004, ndërsa kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake kur mori postin e u.d. së sekretarit të përgjithshëm të MASHTI-t vitin e kaluar. Bërdyna ishte në Degën e LDK-së në Pejë. Po ashtu është Isni Kryeziu, gjithashtu me lidhje me LDK-në.

Në listën e drejtorëve është edhe Lah Nitaj, që në MASHTI erdhi në vitin 2021 me vendim të Qeverisë Hoti. Ai në dy mandate ishte këshilltar politik i PDK-së, një në Ministrinë e Infrastrukturës dhe një në MASHTI në kohën kur ministre ishte Hykmete Bajrami, raportojnë burime të KOHËS. Nitaj është drejtor i Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Dëfrim Gashi është bërë drejtor i Inspektoratit të Arsimit. Gashi ka qenë këshilltar politik i Agim Veliut, ndërsa në zgjedhjet e fundit kandidoi për deputet në listën e LDK-së.

Gjithashtu në listën e drejtorëve është edhe Ferid Idrizi, anëtar i PDK-së. Siç thuhet, ai është drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, ndërsa kishte kandiduar për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e PDK-së.

Emërimi i Fadile Dylës zëvendëse e sekretarit të MASHTI-t kishte ngjallur reagime të shumta, kryesisht nga opozita.

Nga MASHTI është thënë se Fadile Dyla në këtë ministri gjendet që nga viti 2002, ndërsa edhe herë pas here ka zëvendësuar sekretarët në MASHTI në mungesë të tyre. Është thënë se Dyla ka përvojën më të gjatë brenda Ministrisë për këtë arsye është emëruar edhe zëvendëse e sekretarit.

“Zonja Dyla punon në Ministrinë e Arsimit që nga janari i vitit 2002, kurse si drejtore në MASHTI është që nga viti 2003. Që nga ajo kohë ka udhëhequr departamente të ndryshme, ndërsa gjatë mandateve të kaluara, herë pas here ka zëvendësuar sekretarët e Ministrisë në mungesë të tyre. Aktualisht është drejtori me përvojën më të gjatë brenda Ministrisë dhe për këtë arsye është emëruar zëvendëse e sekretarit. Sipas legjislacionit në fuqi, zv i sekretarit caktohet njëri nga drejtorët me përvojën më të gjatë”, thuhet nga MASHTI.