Arbëri

Nagavci: Demonstratat e vitit 1981 ishin kthesa më e rëndësishme e historisë

(KosovaPress) - Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi sot se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë përkujton një kthesë të rëndësishme dhe të shumanshme në historinë e re të vendit dhe gjithë kombit shqiptar.

Ajo këto komente i bëri sot në konferencën shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”, organizuar në shenjë të shënimit të 40-vjetorit të kësaj lëvizjeje.

Nagavci tha se është e pakuptueshme dhe e papranueshme që faqe të ndritura të historisë sonë çlirimtare, avancuese e demokratizuese, edhe 40 vjet me vonë, të mbeten jashtë teksteve dhe programeve tona shkollore.

Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se Qeveria, në programin e saj qeverisës, ka paraparë adresimin e represionit dhe gjeonocidit shovinist, mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të mirënjohura ndërkombëtare, pos tjerash edhe duke krijuar dhe funksionalizuar Institutin për krimet e shtypjes, dhunës dhe terrorit, për dokumentimin, arkivimin, afirmimin si dhe ekspozimin e tyre dhe procedimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë tha se, viti 1981 provoi para botës që durimi shqiptar kishte marrë fund.

Akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, vlerësoi se ngjarjet e vitit 1981 dhanë rezultatet e para, duke bërë një nga kthesat më të mëdha historikë dhe pastaj pa kaluar ende dy dekada u shënua largimi i okupatorit serb nga Kosova.

Në konferencë morën pjesë veprimtarë të Pranverës ‘81, studiues dhe hulumtues shkencorë nga vise të ndryshme të hapësirës shqiptare.