Arbëri

Konjufca kërkon hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që sa më parë të hapen arkivat shtetërore të Serbisë.

Konjufca gjatë takimit me Drejtorin Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Martin Schuepp, ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë prioritet parësor çështjen e të pagjeturve.

Konjufca ka thënë se tendenca e shtetit të Serbisë, që kreu gjenocid në Kosovë, ishte që trupat të mos gjinden kurrë, duke shtuar se shumë prej varrezave masive nëpër Serbi me trupat e shqiptarëve ende nuk janë zbuluar.

“Kryekuvendari Konjufca, pasi vuri në pah se në dialogun e deritashëm me Serbinë nuk i është kushtuar vëmendje e duhur çështjes së të pagjeturve, ritheksoi zotimin e institucioneve të Kosovës për adresimin e kësaj plage të hapur të luftës si një ndër prioritetet parësore. Ai tha se tendenca e shtetit serb, që kreu gjenocid në Kosovë, ishte që trupat të mos gjenden kurrë, duke shtuar se shumë prej varrezave masive gjithandej nëpër Serbi me trupat e shqiptarëve ende nuk janë zbuluar, sepse autoritetet shtetërore të Serbisë vazhdojnë t’i mbajnë ato të fshehura. Prandaj edhe kërkoi që sa më parë të hapen arkivat shtetërore të Serbisë. Drejtori i ICRC-së dhe i pari i Kuvendit u pajtuan për shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen, si dhe koordinimin e aktiviteteve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e  Drejtorisë për media e Kuvendit të Kosovës.