Arbëri

RRGK-ja kërkon përfaqësim të grave në dialogun me Serbinë

Descriptive Text

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës të cilat kanë shtruar nevojën e përfaqësimit të grave në procesin e dialogut me Serbinë.

Siç njoftohet nga Presidenca, përfaqësueset e këtij Rrjeti i kanë dhënë mbështetje punës së deritashme të Osmanit, duke e vlerësuar angazhimin e saj për fuqizimin e pozitës së grave dhe duke e konsideruar rolin e saj të domosdoshëm në përpjekjet për gjithpërfshirjen e grave në të gjitha proceset.

RRGK-ja ka kërkuar mbështetjen e Osmanit për ndryshimet në Ligjin zgjedhor.

“Ato kërkuan që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për të cilën gjë kanë marrë mbështetjen e Presidentes”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se Osmani, ka theksuar se përgjatë mandatit të saj, çështja e barazisë gjinore është një nga prioritetet e saj së bashku me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, sikurse edhe me agjendën e gjelbër.