Arbëri

Opozita e kërkon platformën për dialogun para takimit në Bruksel, Qeveria e planifikon për më vonë

Descriptive Text

Partitë opozitare i kanë kërkuar Qeverisë të përgatisë dhe publikojë platformën dhe strategjinë për dialogun me Serbinë, para se kryeministri Albin Kurti të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Por, Ekzekutivi planifikon që këtë ta bëjë më vonë, pasi takimin e këtij muaji nuk e vlerëson si vazhdim të dialogut

Qeveria është zotuar se do ta hartojë platformën dhe strategjinë për dialog, por pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo, pasi Ekzekutivi, takimin e mesit të qershorit, nuk e konsideron si vazhdim të dialogut, por përgatitje për dialogun e ardhshëm.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se këto dy dokumente do të hartohen kur “t’u vijë koha”.

“Atëherë është e rrugës të trajtohet ky takim ashtu siç është dhe për të ardhmen, kur të ketë një dakordim për kapitullin e ri të dialogut do të ketë dokumentet e nevojshme në të cilat bëhet përgatitja e Qeverisë sa i përket këtij procesi. Por, duhet ta keni parasysh se disa dokumente mund të jenë publike për diskutim, por disa të tjera për shkak të ndjeshmërisë së përmbajtjes së tyre, nuk mund të jenë pjesë e diskutimit publik”, ka thënë Kryeziu.

Mirëpo, opozita e kërkon të kundërtën. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj insiston që para takimit me Vuçiqin, kryeministri Kurti të paraqesë në Kuvend platformën për dialogun.

“Nuk duhet të shkojë (në Bruksel) pa një platformë. Ai duhet shpejt ta sjellë platformën në Kuvendin e Kosovës, të debatohet edhe t’i marrë propozimet edhe të opozitës dhe partnerëve qeverisës. Të hartohet platforma dhe të dihet cilat janë hapat e diskutimit”, ka thënë Kadrijaj.

Thirrje për përgatitjen e këtyre dokumenteve ka bërë edhe Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Do të ishte mirë që të kishte një dokument të shkruar ku artikulohet qartë pozicioni i Kosovës për këtë proces. Ku u bëhet një analizë marrëveshjeve tashmë të arritura të dialogut që mbledhin informacionet nga terreni se çfarë ka ndodhur dhe sa janë zbatuar ato në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë gjitha informacionet para se të vazhdojë me dialogun me Serbinë”, ka thënë Haxholli. Ndonëse data nuk është bërë publike, Kurti do të përballet me Vuçiqin në Bruksel gjatë mesit të këtij muaji. Në prag të këtij takimi, Prishtinën e Beogradin i vizituan gjatë kësaj jave emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer.

Hoxhaj sheh dy rreziqe nga dialogu, i druhet “paaftësisë” së Qeverisë së Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se i sheh dy rreziqe nga procesi i dialogut me Serbinë. Sipas tij, rreziqet janë që Kosova mbetet entitet territorial dhe autonomia për serbët e Kosovës. Hoxhaj ka thënë se duke parë rreziqet dhe sfidat, por edhe “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës” ka kërkuar nga Kongresi Panshqiptar që të vazhdojë lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një diskutim virutal me Kongresin Panshqiptar Amerikan, Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i PDK-së është që Kosova duhet të jetë aty ku është Amerika. “Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, si përgjegjëse për dialogun, sot është pa një platformë që ngërthen në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. PDK-ja pret një platformë të tillë në Kuvendin e Kosovës, si vendin e vetëm ku duhet të flitet dhe të merren vendime në lidhje me këtë çështje”, ka shkruar ai në Facebook.

“Me Kongresin Panshqiptar diskutuam edhe për rreziqet që ka në vetvete ky proces i dialogut. E para, Kosova rrezikon të mbetet si një entitet territorial duke humbur kapacitetin e mirëfilltë për të qenë akter i barabartë si shtetet e tjera – nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka seriozisht anëtarësimin e saj në OKB. Kjo do të ishte humbje e një rasti historik për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Dhe, rreziku i dytë që paraqitet është autonomia për serbët e Kosovës dhe statusin e ekstraterritorialitetit për Kosovën, që do të shkatërronte përbrenda shtetësinë tonë. Kjo do të forconte pozitën e shtetit serb në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje. Prandaj, duke parë sfidat, rreziqet dhe paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për t’u ballafaquar seriozisht me këtë çështje, si kryetar i PDK-së, kërkova edhe nga Kongresi Panshqiptar lobimin e mëtejshëm në Washington, si adresën historike në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve”, ka përfunduar Hoxhaj.