Arbëri

Hoxhaj sheh dy rreziqe nga dialogu, i druhet “paaftësisë” së Qeverisë së Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se i sheh dy rreziqe nga procesi i dialogut me Serbinë. Sipas tij, rreziqet janë që Kosova mbetet entitet territorial dhe autonomia për serbët e Kosovës. Hoxhaj ka thënë se duke parë rreziqet dhe sfidat, por edhe “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës” ka kërkuar nga Kongresi Panshqiptar që të vazhdojë lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një diskutim virutal me Kongresin Panshqiptar Amerikan, Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i PDK-së është që Kosova duhet të jetë aty ku është Amerika.

“Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, si përgjegjëse për dialogun, sot është pa një platformë që ngërthen në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. PDK pret një platformë të tillë në Kuvendin e Kosovës, si vendin e vetëm ku duhet të flitet dhe të merren vendime në lidhje me këtë çështje”, ka shkruar ai në Facebook.

“Me Kongresin Panshqiptar diskutuam edhe për rreziqet që ka në vetëvete ky proces i dialogut. E para, Kosova rrezikon të mbetet si një entitet territorial duke humbur kapacitetin e mirëfilltë për të qenë akter i barabartë si shtetet tjera – nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka seriozisht anëtarësimin e saj në OKB. Kjo do të ishte humbje e një rasti historik për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Dhe, rreziku i dytë që paraqitet është autonomia për serbët e Kosovës dhe statusin e ekstraterritorialitetit për Kosovën, që do të shkatërronte përbrenda shtetësinë tonë. Kjo do të forconte pozitën e shtetit serb në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje. Prandaj, duke parë sfidat, rreziqet dhe paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për t’u ballafaquar seriozisht me këtë çështje, si kryetar i PDK-së kërkova edhe nga Kongresi Panshqiptar lobimin e mëtejshëm në Washington, si adresën historike në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve”, ka përfunduar Hoxhaj.