Arbëri

Kontrata fiktive që Telekomit i kushtoi mbi 400 mijë euro

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Pista të reja hetimi janë zbuluar në aferën e Telekomit të Kosovës, në kontratën me blerjen e telefonave për klientët besnikë, që peshonte gati gjysmë milioni euro. Hetimi ka çuar në arrestimin e tre pronarëve të dyqaneve të telefonave, të cilët kanë bërë kontratat gjoja se po e furnizonin Telekomin, por vetëm u janë transferuar paratë dhe telefonat nuk janë dorëzuar kurrë. Të dy pronarët e arrestuar të premten dyshohet se kanë bashkëpunuar me dy ish-menaxherët e këtij institucioni, Trim Musliu e Armend Osaj, të arrestuar muaj më parë. Për këtë çështje, ka pasur arrestim edhe mbrëmjen e së enjtes: Është arrestuar pronari i një dyqani në Pejë.

Tjetër kahe ka marrë hetimi ndaj ish-zyrtarëve të Telekomit, Trim Musliu e Armend Osaj, të cilët muaj me parë ishin arrestuar për mashtrimin e lidhur me telefonat mobilë, në vlerë të 400 mijë eurove, të dedikuar për klientët besnikë.

Hetimet kanë orientuar kah ajo se këta telefona nuk janë blerë kurrë. Është bërë veç një kontratë fiktive me një dyqan të telefonave dhe zyrtarët e atëhershëm të Telekomit kanë nënshkruar dokumentet për pranim të tyre, pa ndodhur një gjë e tillë. Një vlerë që kap një shumë prej 437 mijë eurosh dyshohet se është keqpërdorur nga disa persona.

Të premten, Policia e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, siç ka mësuar KOHA, ka arrestuar pronarët e dy dyqaneve të telefonave, njërin se ka lidhur kontratë fiktive në vlerë të 400 mijë eurove, por nuk ka bërë furnizimin me telefona, e tjetrin për shkak që në muajin prill ka lëshuar fatura fiktive.

Ndërsa një arrestim ka ndodhur të enjten në Pejë, në lidhje me këtë rast.

Pronarët e dyqaneve të telefonave “Zone Mobile” dhe “Verasacop”, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni janë të arrestuarit, ashtu si edhe Afrim Pupovci.

Burimet e KOHËS kanë treguar se Ajvazi kishte lidhur dy kontrata fiktive me Telekomin, në janarin e vitit 2019.

“I dyshuari Fatbardh Ajvazi, në bashkëpunim me dy zyrtarët e Telekomit, Trim Musliu dhe Armend Osaj, që ishin arrestuar më datë 30.03.2021, dyshohet se nuk ka bërë fare furnizimin e Telekomit me telefona, por kanë krijuar dokumentacion fiktiv, duke e dëmtuar Telekomin e Kosovës në vlerën prej 437.488 eurosh për telefonat që dyshohet se nuk janë pranuar fare”, thuhet në dokumentet e hetuesisë.

Sipas burimeve, hetuesia ka konfirmuar se për këta telefona është bërë deklarimi në ATK dhe ka rezultuar që nuk ka asnjë dëshmi të importit apo blerjeve të brendshme për telefonat, që janë shfrytëzuar gjoja për furnizim.

Më 30 mars të këtij viti janë arrestuar për të njëjtën kontratë ish-shefi i Marketingut në Telekom, Trim Musliu e Armend Osaj, ish-zëvendësdrejtor i Financave në Telekom.

Pas këtij arrestimi, Policia e Kosovës, sipas informatave të KOHËS, dyshon se pronari i kompanisë “Zone Mobile”, Fatbardh Ajvazi, ka tentuar të krijojë dokumente të rreme, për ta arsyetuar kontratën.

“Fatbardh Ajvazi ka bashkëpunuar me Gazmend Hysenin, i cili është pronar i dyqanit “Versacop SH.P.K”. Pas fillimit të hetimeve, me qëllim që t’i mbulojnë veprimet e tyre, kanë krijuar dokumentacion fiktiv gjoja për shitblerjen e telefonave ndërmjet kompanisë Versacop SH.P.K dhe Zone Mobile L.L.C dhe këtë dokumentacion e kanë krijuar në muajin prill 2021, për blerjet e pretenduara të vitit 2019”, thuhet në këto dokumente.

E i dyshuari Gazmend Hyseni, sipas burimeve, ka lidhje me të arrestuarin tjetër, Afrim Pupovci.

“Afrim Pupovci, i dyshuari në pozitën e Pronarit të Kompanisë ‘Kopex’, me qëllim të përfitimit të paligjshëm nga Kompania e tij ‘Kopex’, ka prodhuar dokumentacione të falsifikuara (fiktive) gjoja për shitblerje të telefonave, në bashkëpunim me të dyshuarin Gazmend Hyseni”, thuhet nga burimet e hetuesisë.

Televizioni ka provuar t’i kontaktojë institucionet e hetuesisë, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

I paqasshëm ka qenë edhe prokurori Rafet Halimi, i cili po e heton këtë rast, në koordinim me Fidan Halitin nga Policia e Krimeve Ekonomike.

Në orët e pasdites, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka dërguar një komunikatë për këtë çështje, dhe i ka sqaruar arrestimet.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore në rastin e kontratës të lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Operatorit Ekonomik ‘Zone Mobile’ L.L.C, në vlerë rreth 450,000.00 € (katërqind e pesëdhjetë mijë euro), ku muajin e kaluar janë arrestuar katër (4) persona, ka vazhduar aksionin me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Gjatë këtij aksioni, janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth 30,000 € (tridhjetë mijë euro), si dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Ish-shefi i marketingut, Trim Musliu, ka qenë pjesë e Qeverisë Hoti, në cilësinë e këshilltarit të ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Me Musliun e Armend Osajn, në muajin mars, u patën arrestuar edhe dy persona të tjerë,

Në ndihmë në kryerjen e veprave penale, siç pati raportuar KOHA, dyshohet se u kanë dalë edhe Kushtrim Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut, e Denis Ceman, ish-këshilltar i ish-ministrit Agim Veliu.

Siç mësuar KOHA nga burimet brenda Prokurorisë së Shtetit, vitin e kaluar menaxhmenti i përkohshëm në Telekom kishte denoncuar këtë kontratë të dyshimtë në Policinë e Krimeve Ekonomike, të cilët më pas kishin ndërmarrë veprime hetimore.

Telekomi është futur në borxhe të mëdha, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime, që lidhen kryesisht me nepotizëm e kontrata të dëmshme.