Arbëri

Kërkohet prezencë më e madhe policore nëpër rrugë

Policia e Kosovës ka mbajtur një takim për gjendjen e përgjithshme në trafikun rrugor ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe masat e mëtejme që duhet ndërmarrë për menaxhimin sa më efikas të trafikut.

Në këtë takim nga drejtori i përgjithshëm Samedin Mehmeti u diskutua dhe analizua gjendja e sigurisë në trafik përgjatë viteve si dhe gjendja aktuale, ku u vlerësua dhe njëherësh u kërkua nevoja e angazhimeve shtesë nga të gjitha rajonet si dhe bashkërendimi i të gjithë akterëve përfshirë edhe institucionet e tjera relevante për krijimin e kushteve dhe rrethanave më të mira për sigurinë e përgjithshme rrugore, sipas njoftimit nga Policia

Në një njoftim të policisë thuhet se Mehmeti, kërkoi nga shefat e trafikut rajonal, që të ketë përgjegjësi dhe mbikëqyrje më të shtuar, prezencë më të madhe policore në të gjitha akset rrugore, realizim të planeve dhe objektivave policore me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.

Në këtë drejtim Policia e Kosovës është duke implementuar Urdhrin Operativ “Siguria në trafikun rrugor 2021”, qëllimi i të cilit është ndërmarrja e masave të duhura policore në drejtim të parandalimit, zvogëlimit të aksidenteve si dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, përfshirë ndërmarrjen e hapave konkret për vetëdijesim dhe sensibilizim të opinionit publik.

Në kuadër të këtij urdhri janë ndërmarrë aktivitete për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve si: mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar, tejkalime në vende të ndaluara, përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes, rripi i sigurisë, etj...

Brenda 24 orëve janë shqiptuar rreth 1500 fletëparaqitje për kundërvajtje sipas të dhënave të policisë.