Arbëri

Shkarkohet kryeshefi i Infrakosit

Descriptive Text

Bordi i përkohshëm i emëruar para pak ditësh nga Qeveria Kurti ka shkarkuar kryeshefin e Ndërmarrjes Publike Qendrore-Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës Infrakos, Hysen Nikçi.

Nikçi nuk është pajtuar me vendimin e Bordit, duke e quajtur atë hakmarrje nga drejtuesit e kompanisë. Madje ai ka paralajmëruar edhe padi kundër këtij vendimi.

“Me datën 3 qershor në mbrëmje kam marrë përmes e-mailit një vendim që Bordi i përkohshëm merr vendim për anulim të konkursit. Andaj këtë vendim e konsideroj si hakmarrje nga kryesuesi i bordit të përkohshëm për katandisje e Infrakosit.“Këtë ua argumentoj edhe me shkresa. Unë besoj në qëllimin e depolitizimin e ndërmarrjes tonë. Do të ushtrojë padi në organe kompetente ndaj kompanisë Infrakos” ka thënë ai, raporton EkonomiaOnline.

Ndërkaq, i kontaktuar nga KOHA, sekretari i Infrakosit, Arsim Deliu, ka thënë se shkarkimi ka ardhur pasi njësia për monitorim të ndërmarrjeve publike iu drejtua bordit të përkohshëm të drejtorëve lidhur me një shkresë që të shikojë vendimin e ish-bordit për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv.

“Kësaj shkrese i janë bashkangjitur edhe vendimet e ish-ministrit Muharrem Nitaj për pezullimin e konkursit për kryeshefin ekzekutiv nga ish-bordi i kaluar. Bordi posa ka marrë këtë shkresë ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, më 3 qershor 2021 dhe ka shqyrtuar të gjithë procesin për rekrutimin e shefit ekzekutiv. Më 29.05.2020 ish-bordi i përkohshëm ka hapur konkurs për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, ndërsa më datën 18 qershor nga njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike kemi marrë një rekomandim nga ish-ministri Blerim Kuçi, për pezullimin e konkursit për kryeshef ekzekutiv dhe pozita të larta. Me ardhjen e bordit të përkohshëm më 19 tetor 2020, ky bord ka mbajtur takim më datën 19 nëntor dhe ka anuluar vendimin për konkurs dhe në të njëjtën ditë ka marrë vendim për hapjen e konkursit. Unë si sekretar e kam njoftuar se është një rekomandim i ministrit ende në fuqi për pezullimin e konkursit, por bordi nuk e ka përfillur rekomandimin e ish-ministrit Kuçi. Pas hapjes së konkursit, reagimi nga ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka qenë i menjëhershëm. Bordi i përkohshëm nuk i ka përfillur rekomandimet dhe shkresat e njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike. Ka kaluar afatet ligjore dhe ka përzgjedhur kryeshefin ekzekutiv. Pasi i ka sqaruar të gjitha emailat dhe shkresat, bordi ka marrë vendim të pushojnë të gjitha efektet juridike të ish-bordit të përkohshëm të drejtorëve për shpalljen e konkursit për kryeshef ekzekutiv, me numër 2/56 i datës 19.11.2020 dhe vendimi për emërimin e kryeshefit ekzekutiv numër 2/18 i datës 08.03.2021”, ka deklaruar ai teksa ka shtuar se garanton se “vendimi për shkarkimin e Nikçit s’ka të bëjë me asgjë perosnale e as hakmarrje”.

“As s’ka asgjë politike, mirëpo i ka shikuar të gjitha shkeljet që janë bërë nga fillimi i konkursit e deri në mbarim. S’është vendim i kryesuesit të bordit, por i gjithë bordit”, ka thënë Deliu.