Arbëri

Bullgaria ndan vaksina për Kosovën dhe shtetet e Ballkanit

Descriptive Text

Bullgaria po planifikon të dhurojë rreth 150 mijë vaksina kundër COVID-19 te shtetet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë në këtë shtet, Stoicho Katsarov.

Katsarov ka thënë se shteti do të marrë 13 milionë doza nga skema e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit dhe është në gjendje t’u ndihmojë shteteve të tjera, shkruan “The Guardian”.

“Ideja është të ndajmë deri 150 mijë doza për shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Katsarov në konferencë për media, duke shtuar se ky shtet ka marrë kërkesa për vaksina nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja. “Nevojat tona janë të përmbushura tërësisht andaj s’ka rrezik që Bullgaria të mbetet pa vaksina”.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës njoftoi se ka arritur marrëveshje për blerjen e 1.2 milionë dozave të vaksinës “Pfizer” deri në fund të vitit. Vendi ka marrë vaksina deri tash vetëm përmes donacioneve nga BE-ja dhe skema e COVAX-it. Është raportuar se do të marrë doza edhe nga disa shtete të tjera të BE-së.