Arbëri

Serbia pretendon se i ka përmbushur të gjitha obligimet e dala nga dialogu

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, insiston se vendi i saj ka përmbushur të gjitha obligimet që ka marrë në Bruksel nga dialogu me Kosovën. Sipas saj, një prej këtyre obligimeve është edhe gjetja e identifikimi i të vrarëve gjatë luftës.

Sot, 22 vjet pas luftës, ende llogariten mbi 1.600 shqiptarë të zhdukur. Së fundi janë gjetur në Serbi mbetjet mortore të së paku nëntë shqiptarëve.

Bërnabiq, pas takimit me zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, të enjten në Beograd, tha se pret që njësoj të veprojë edhe Kosova.

Sipas saj, Prishtina duhet të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, derivat i Marrëveshjes së vitit 2013.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë asociacion njëetnik. Shumë prej pikave të marrëveshjes për asociacionin, janë shpallur anti-kushtetuese edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Në mes të qershorit, pritet të rinisë në Bruksel dialogu Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.