Arbëri

AAG dënon sulmin ndaj dy vajzave në qendër të Shkupit

Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG), me bazë në Shkup, dënon ashpër rastin e fundit të sulmit verbal dhe fizik ndaj dy vajzave në qendër të qytetit të Shkupit, njëra studente myslimane dhe tjetra e krishtere, nga tre maqedonas.

“Ngjarje kjo shqetësuese për faktin se ndodhitë e tilla shkelin seriozisht dinjitetin njerëzor, cenon të drejtën elementare të lëvizjes së lirë dhe sigurisë si dhe shton krimin e urrejtjes. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore dhe sociale”, thuhet në reagimin e AAG-së.

AAG thotë se mbrojta e lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtyllë kryesore në funksionimin normal të shteteve demokratike sepse nga respektimi i të drejtave dhe lirive varet drejtpërdrejt zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik.

AAG bën thirrje deri te organet kompetente që të jenë më vigjilentë dhe të përshpejtojnë hetimet për të dënuar dhunuesit e kësaj ngjarje.