Arbëri

MD-ja planifikon të rekrutojë edhe katër prokurorë të rinj për Krimet e Luftës

Descriptive Text

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se planifikon që nëpërmjet rishikimit të buxhetit ta mundësojë rekrutimin edhe të katër prokurorëve të rinj për Departamentin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në një takim që ministrja Albulena Haxhiu ka pasur me kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është bërë e ditur që përmes rishikimit të ligjit të buxhetit, MD-ja është e gatshme të ndajë mjete nga buxheti i saj për “rekrutimin e 4 prokurorëve të rinj, 6 bashkëpunëtorëve profesional dhe 2 staf tjetër mbështetës përkatësisht përkthyes në Departamentin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit nga MD-ja, Haxhiu e ka quajtur domosdoshmëri shtimin e kapaciteteve në këtë departament.

Ajo ka thënë se “shumë shpejt do të miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore përmes të cilave eliminohen pengesat dhe rrjedhimisht mundësohet hetimi, por edhe gjykimi në mungesë i kriminelëve të cilët kanë kryer krime lufte”.

Aktualisht në Prokurorinë Speciale, katër prokurorë janë të angazhuar në Departamentin e Krimeve të Luftës.