Arbëri

KOMF: Mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike ose psikologjike

Descriptive Text

Mbi 70 përqind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike, ndërsa mbi 20 përqind e tyre jetojnë në varfëri të skajshme.

Në gjendje më të rënduar janë fëmijët me aftësi të kufizuara, ku vetëm 10 përqind e tyre përfitojnë shërbime shëndetësore e sociale.

Me rastin e 1 Qershorit, ditës së fëmijëve, drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, thotë se gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë.

“Gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë, i kemi të dhënat shumë shqetësuese sa i përket gjendjes së fëmijëve në Kosovë, vazhdojmë të kemi një përqindje të lartë mbi 20 përqind të fëmijëve të cilët jetojnë në varfëri në Kosovë. Pastaj, kemi një përqindje të lartë të përdorimit të dhunës bazuar në të dhënat e reja të raportit MICS i cili është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkë edhe me UNICEF-in, del se rreth 72 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktimë, qoftë e ndëshkimit fizik apo e dhunës psikologjike, 5 përqind të fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ne shohim gjendjen e rëndë të fëmijëve të cilët punojnë edhe punë të rënda në Kosovë. Pastaj gjendje shumë të rëndë janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara në bazë të raportit MICS rreth 8 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë raportuar që kanë vështirësi funksionale në një domen të caktuar” thotë ajo.

Kelmendi thotë se gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe shumë përballja me pandeminë COVID-19.

“Pandemia në fakt ka ndikuar shumë në gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe sidomos në gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, siç dimë gjatë vitit 2020 për shkak edhe të masave për parandalimin e virusit COVID-19 shumica e shërbimeve të cilat ofrohen për fëmijët e cenueshëm kanë qenë të mbyllura në pjesën e parë të vitit. Kjo ka qenë shumë traumatike për fëmijët e sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara, ata të cilët kanë marrë shërbime ose pjesa e fëmijëve të cilët kanë marrë shërbime përmes qendrave ditore të cilat udhëhiqen nga organizatat joqeveritare, në një moment të caktuar me marrjen e vendimeve për parandalim të përhapjes së virusit të gjitha këto shërbime u mbyllën” thekson ajo.

Përveç kësaj, ajo thotë se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve kur fëmijët kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Kelmendi shprehet se gjatë vitit 2020 strehimoret që ofrojnë strehim për viktimat e dhunës kanë qenë të stërmbushura me fëmijë.

“Gjatë kohës së pandemisë strehimoret kanë qenë duke punuar me kapacitet të plotë 24 orë dhe kanë qenë të stërmbushura, kanë pranuar më shumë fëmijë sesa që kanë pasur vende për shkak të numrit të madh. Përdorimi i dhunës vazhdon të përdoret në familjet në Kosovë edhe si mjet disiplinimi, do të thotë kryesisht edhe ndëshkimi fizik. Statistikën të cilën e përmenda që 72 përqind të fëmijëve kanë deklaruar që kanë pasur ndëshkim fizik dhe psikologjik flet shumë, mbi 50 përqind të fëmijëve në Kosovë i bie që janë viktima të dhunës ose edukohen përmes formave të dhunshme”, thotë ajo.

Sa i përket Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, Kelmendi thekson se sfidë për implementimin e tij mbetet buxheti shumë i ulët./KSP