Arbëri

KGJK-ja e Themelorja me u.d. të drejtorëve të jashtëligjshëm

Descriptive Text

Sipas nenit 30 të Ligjit për Shërbyesit Civil, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet për më gjatë se tre muaj. Por, kjo është tejkaluar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Drejtorë të Administratës mbajnë pozita të ushtruesve të detyrës për gati 2 vjet

Nga shtatori i vitit 2019, Bislim Gashi mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, megjithëse kjo është në kundërshtim me ligjin.

Njëjtë, ushtrues detyre i drejtorit të Administratës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për gati 1 vit është edhe Shaban Gërxhaliu.

Sipas nenit 30 të Ligjit për Shërbyesit Civil, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet për më gjatë se tre muaj.

Ndaj tyre dhe drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit në KGJK, Shkëlzen Maliqi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Blerim Brahimi, ka ngritur kallëzim penal.

Maliqi, si zyrtari kryesor administrativ, e ka pranuar se Gashi dhe Gërxhaliu janë caktuar dhe kanë qëndruar si ushtrues të detyrës në ato pozita për kohë më të gjatë se 3 muaj. Ai ka dhënë edhe disa arsye se pse ata nuk janë larguar nga këto pozita në kohën kur kanë përfunduar mandatin 3-mujor.

“Arsyet janë të ndërlidhura me procesin e Rishikimit Funksional të Strukturës Organizative të Sekretariatit dhe të gjykatave, Rregullores për përzgjedhjen dhe funksionin e administratorëve të gjykatave, Ligjit për Zyrtar Publik, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimit të performancës së z. Gashi dhe z. Gërxhaliu”, ka thënë Maliqi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës në KGJK, Bislim Gashi, i cili para se të emërohej në këtë pozitë ka qenë zyrtar i personelit, ka thënë për KOHËN se as nuk ka kërkuar, as nuk i është kërkuar nga dikush që ta lirojë pozitën e ushtruesit të detyrës që e mban për gati dy vjet. Për arsyen e njëjtë, KOHA ka provuar të marrë përgjigje dhe nga Shaban Gërxhaliu, por ai nuk është deklaruar.

Në lidhje me këtë çështje, më 24 maj të këtij viti, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Blerim Brahimi, ka ngritur kallëzim penal ndaj Shkëlzen Maliqit, Shaban Gërxhaliut e Bislim Gashit. Ai ka thënë se këtë veprim e ka ndërmarrë edhe për shkak të përgjegjësisë kolektive, por edhe individuale, që të mos bëhet pjesë e kryesve të veprave penale.

“Para se të jem kryetar i Sindikatës, jemi të obliguar si qytetarë që çdo vepër penale ta paraqesim në organet e drejtësisë, gjë që nëse nuk e paraqesim jemi edhe vetë kryes të veprës penale. Është shqetësuese që brenda institucioneve të drejtësisë ushtrojnë detyrë njerëzit kryesorë të Administratës në Këshillin Gjyqësor, njëri qe një vit e tjetri qe dy, në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Brahimi.

Në kallëzimin penal, Brahimi pretendon se Maliqi, Gërxhaliu e Gashi kanë kryer tri vepra penale.

“Pasi që në veprimet e subjekteve të këtij kallëzimi ekzistojnë të gjitha elementet e veprave penale të lartcekura: ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’, ‘Cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës’, ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’, dhe eventualisht të ndonjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që këtë çështje ta hetojë tërësisht dhe ta procedojë më tutje”, thuhet në kallëzimin penal.

Mes tjerash, Brahimi pretendon se si ushtrues detyre me mandat të tejkaluar, Gashi e Gërxhaliu kanë qenë pjesë e komisioneve vlerësuese të rekrutimit për pozitat e shërbimit civil, gjë që është demantuar nga Gashi.

Për Gërxhaliun, Maliqi thotë se ka qenë pjesë e këtyre komisioneve në përputhje me ligjin.

“Z. Gashi që nga dita e caktimit në pozitën ushtrues detyre i drejtorit të Administratës dhe Personelit, në asnjë rast të vetëm nuk ka qenë anëtar i asnjë komisioni rekrutues, ankimor apo disiplinor, siç përcaktohet me akte ligjore dhe nënligjore. Ndërsa, z. Gërxhaliu ka qenë pjesë e komisioneve rekrutuese në disa procese dhe kjo është në pajtim të plotë me aktet ligjore dhe nënligjore”, ka deklaruar Maliqi.

Për moslajmërim të veprës penale apo kryesve të saj, kallëzimin penal Brahimi e ka paraqitur edhe ndaj drejtorëve të drejtorive përkatëse brenda Sekretariatit të KGJK-së.