Arbëri

Drejtori i Infektives paralajmëron kthimin në normalitet, bën thirrje për vaksinim sa më masiv

(Ekonomia Online) - Drejtori i Klinikës Infektive, Izet Sadiku, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vaksina është mjeti kryesor për parandalimin e Covid-19.

Madje, ai u bënë thirrje të gjithë qytetarëve nga mosha 18-vjeçare të marrin vaksinën.

“Vaksina është mjeti kryesor për parandalimin dhe futjen nën kontroll të Covid-19. Prandaj iu bëjë apel të gjithë qytetarëve të cilët janë prej moshës 18-vjeçare që ta marrin vaksinën me qëllim që vaksinimi sa më i madh i qytetarëve të na ofrojë mundësinë që të fusim nën kontroll pandeminë. Unë mendoj që derisa të merret vaksina ne do të vazhdojmë respektimin e masave mbajtjen e distancës, mbajtjen e maskës, sepse me këto masa ne krijojmë mundësi me mbajt numrin e vogël të infektuarve dhe vdekjeve me qëllim që t’i japim shans më të madh vaksinimit”.

Mes tjerash, Sadiku shtoi se personat që janë vaksinuar nuk kanë pasur komplikime.

“Personat që janë vaksinuar nuk kanë pasur komplikime. Sigurisht po flas prej përvojës nga kolegët tanë se shumica e punëtorëve shëndetësor të infektives janë të vaksinuar dhe ata kanë pasur ankesa të zakonshme pas vaksinimit me temperatura brenda një ditë apo dhimbje muskulore por nuk ka pasur pacientë që është lajmëruar në klinikën infektive si pasojë e komplikimeve të Covid-19”, tha ai.

Sadiku theksoi vaksinimi i madh i popullsisë deri në shtator do të krijonte efektet e para të futjes nën kontroll të pandemisë dhe kthimin në normalitet.

“Unë mendoj që pandemia ka filluar te futet nën kontroll dhe me vaksinimin e madh të popullsisë mendoj që jemi në hapat e parë të fazës së vaksinimit dhe për këtë arsye duhet respektuar masat dhe me krijuar mundësi sa më shumë me vaksinuar. Një numër i madh i qytetarëve të Kosovës e ka kryer Covidin dhe vaksinimi gjatë këtyre muajve që do të ndodh do të krijon parakushte që Kosova me fut nën kontroll pandeminë. Veçse ka filluar të diskutohet për kthimin e normaliteti në shtetet që e kanë rritur numrin e të vaksinuarve. Sigurisht nëse nuk ka ndonjë të re sa i përket këtij virusi, vaksinimi i madh i popullsisë deri në shtator do të krijonte efektet e para të futjes nën kontroll të pandemisë dhe kthimi i një normaliteti qysh ka qenë para dhjetorit të vitit 2019 edhe pse asnjëherë nuk mund të jetë bota qysh ka qenë para dhjetorit të vitit 2019. Mirëpo me rëndësi po hyjmë në një fazë që mund të krijohet normalitet dhe mund të futemi nën kontroll të pandemisë duke respektuar masat”.