Arbëri

Osmani e quan FSK-në sinonim të shtetësisë, Kurti i premton rritje të buxhetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i paprekshmërisë së territorit tonë, pasi mori pjesë në ushtrimet ushtarake “Defender Europe 2021”.

Ajo ka shtuar se qëllimet e Kosovës janë të lidhura me përkushtimin tonë ndaj SHBA-së e cila i ka garantuar lirinë Kosovës.

“22 vjet më parë, gra e burra të udhëhequr nga ideali për liri u rreshtuan nën emblemën e UÇK-së dhe e dëshmuan këmbënguljen tonë për ta fituar lirinë. Ata e patën guximin dhe vendosmërinë për të qëndruar në kauzën e lirisë. Patën fatin të vepronin nën flamurin e një aleance të fuqishme me prerëndimin. Në atë kohë, sikur sot e kemi ditur se duke i mbrojtur shtëpitë tonë, duke luftuar për lirinë tonë, ne kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale dhe kemi dhënë kontribut për mbrojtjen e tyre. 22 vjet më pas bijtë e bijat e tyre, i kemi lidhur qëllimet e tona me përkushtimin tonë strategjik me SHBA për ta siguruar lirinë dhe për ta garantuar. Si vend e komb e kemi pasur mision mbrojtjen e atdheut tonë dhe respektimin e lirive të tjera”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se FSK-ja po bëhet aleat i besueshëm i aleatëve ndërkombëtarë.

“Ngritja e kapaciteteve, modernizimi i ushtrisë sot po e merr vulën e përkrahjes nga partnerët strategjikë, prandaj jam e lumtur që po shoh se po shndërrohet në partner të besueshëm të aleatëve tanë. FSK është sinonim i shtetësisë sonë, mbrojtjes sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit. Sot po vulosni fatin tonë të përbashkët në shërbim të lirisë”, përfundoi Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se profesionalizmi i treguar i FSK-së gjatë këtij demonstrimi ka treguar se është e gatshme për të kontribuar në sigurinë globale.

“Forca jonë është e përkushtuar dhe e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin tonë dhe po përmbushë standardet për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar tutje se i siguron “se kabineti qeveritar do ta vazhdoj mbështetjen e do ta shtoj buxhetin për FSK në rrugën e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale”.