Arbëri

Në prag të rifillimit të dialogut, Palmeri dhe Lajçaku vijnë në Kosovë

Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, javën e ardhshme do të qëndroj për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai do të takohet me qeveritarët kosovarë për të diskutuar lidhur me marrëdhëniet bilaterale.

“Zëvendësndihmës sekretari Palmet do të jetë në Prishtinë javën e ardhshme për t’u takuar me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona bilaterale”, ka thënë Ambasada Amerikane në një përgjigje për KOHËN duke mos specifikuar se pjesë e diskutimeve do të jetë dialogu.

Ndërkaq, KOHËS nga Zyra e BE-së në Kosovë i është thënë se në vizitë zyrtare gjatë javës së ardhshme do të vijë edhe emisari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Të hënën dhe të martën, përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën.

Zëdhënësja e BE-së në Kosovë, Dinka Zhivalj, i tha KOHËS se gjatë vizitës së tij dy-ditore të punës, ai do të takohet me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministren e dytë dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Gërvalla-Schëarz.

Ajo ka bërë të ditur se Lajçaku gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t'u drejtohet Shefave të Misioneve të BE-së.

Ndërkaq, ka konfirmuar se Lajçak dhe Palmeri do t’i drejtohen mediave të martën, më 1 Qershor, në 10:45 në zyrën e BE-së.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojnë nga mesi i qershorit.

Kryeministri Albin Kurti pati takuar emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel ditë më parë ku diskutuan mbi procesin. Në takim të ndarë atje, Lajçak pati diskutuar edhe me presidentin serb për këtë çështje.