Arbëri

Kosova pret që ta heqë problemin me qentë endacakë më 2025

Përmes një menaxhimi dhe mbikëqyrjeje më të rreptë e me ushtrim të praktikave profesionale veterinare, shteti i Kosovës synon që të heqë problemin e qenve endacakë nga viti 2025. Sipas zyrtarit për informim në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, Lamir Thaçi, po që se komunat dhe Qeveria respektojnë strategjinë e AUV-it, do ketë menaxhim më të mirë të qenve endacakë.

Në emisionin “Sot” në KTV, Thaçi ka treguar se AUV-i e ka marrë rolin e autoritetit për menaxhimin e qenve endacakë në vitin 2018, pas shtimit enorm të qenve endacakë. Ai ka thënë se ky mandat u ka skaduar në prill, ndërsa tani gjithçka varet nga projektet që do të ndërmarrin komunat, siç edhe u takon me Ligjin për Veterinari. Thaçi ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë pasur pak përkrahje të komunave, ndërsa ka theksuar se sivjet disa komuna kanë filluar vetë projektet për menaxhim të qenve endacakë. Për të pasur sukses ai ka thënë se komunat duhet të kontraktojnë kompani profesionale e të kryejnë shërbimet e njëjta që deri tash i ka kryer AUV-i, përmes kastrimit e sterilizimit të qenve endacakë.

“Përmes politikës publike dhe mbikëqyrjes së rreptë, do të arrihet që më 2024 apo 2025, siç kemi paraparë, si problematikë do t’i takojë të kaluarës e do të menaxhohet pastaj më mirë”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se qentë me pronarë janë identifikuar si burimi kryesor i shtimit të qenve endacakë. Sipas tij, kjo sepse pronarët po tregohen të papërgjegjshëm duke shfrytëzuar vakumin ligjor, që kafshët i mbajnë deri kur kanë dëshirë apo vullnet.

“E kur të ngopen nga dashuria për ta apo s’u duhen, i lënë të lirë në rrugë, e pastaj përmes tyre vjen shumimi. Me udhëzimin administrativ do të mbahen obligues. Ne do të gjejmë format dhe modalitetetet. Jemi në fillim të kësaj politike publike”, ka thënë ai për hartimin e një udhëzimi administrativ. Ka thënë se në fazën e parë do të punohet për identifikimin e qenve me pronarë dhe mbajtja e pronarëve përgjegjës. Pas kësaj ka thënë se do të punohet për modalitetet se si duhet të funksionalizohet sistemi kur një pronar dëshiron ta heqë qenin e tij.

Ai ka thënë se AUV-i ka dhënë rezultate të mira në menaxhimin e qenve endacakë, por ka theksuar se “kjo politikë publike duhet të vazhdohet sepse s’është problematikë që rregullohet brenda një viti”.

Kohëve të fundit janë shtuar raportimet për sulme të qenve endacakë. I fundit ishte rasti i një fëmije në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.