Arbëri

Shasha: Reagimi i Kosovës për zhvillimet ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e aleatëve

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha vlerëson se reagimi i Kosovës për zhvillimet ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.

Ai në një intervistë në “Deskun” e KOHËS ka folur edhe për postimin e djeshëm në Twitter nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku flitej për rritjen e ndikimit të Rusisë, postim që u kritikua për gabimet e shumta në gjuhën angleze.

“Konsideroj se këto çështje në skenën ndërkombëtare, çështjet madhore, Kosova duhet të reflektojë vullnetin, vendimet e qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së. Kosova nuk ka pozicion të saj sa i përket këtyre çështjeve, pasi ajo ka vendosur se i përket familjes së Bashkimit Evropian dhe Aleancës Trans-Atlantike. Nëse jemi dakord me këto dyja, atëherë reagimi yt karshi çfarëdo zhvillimi, qoftë konflikti në Lindje të Mesme, qoftë kidnapimi i një gazetari bjellorus, duhet të jetë në vijë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në. Pasi ke marrë vendime të tilla afatgjate. E dyta konsideroj se nuk duhet të humbasim shumë kohë në këto çështje. Pasi janë çështje jashtë fuqisë së Kosovës”, ka thënë Shasha.

Ai postimin në Twitter e sheh si lëshim të MPJ-së.