Arbëri

Vuçiqi pret që edhe krerë tjerë shtetesh t’i kërkojnë falje Serbisë për bombardimet

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se është befasuar për të mirë me kërkimfaljen që i bëri presidenti i Çekisë, Milos Zeman, për pjesëmarrjen e vendit të tij intervenimin e NATO-s mbi caqet serbe gjatë vitit 1999.

Vuçiq në një intervistë për mediat çeke, përcjell “B92.net”, ka thënë se pret që edhe krerë të tjerë shtetesh t’i kërkojnë falje Serbisë, por jo edhe vetë organizata veri-atlantike.

“Nuk besoj në asnjë kërkimfalje zyrtare të NATO-s. Por nëse me pyesni a është Zeman presidenti i fundit që këtë e ka bërë, mendoj se jo. Është i pari, por jo i fundit:, ka thënë Vuçiq,

Zeman i kërkoj falje Serbisë, gjatë vizitës së Vuçiqit në Pragë, më 18 maj.

“Serbia shprehu mbështetjen e saj për ne dhe ne e bombarduam atë. Më lejoni të them menjëherë se unë kërkoj falje për bombardimet në ish-Jugosllavi. Ishte një gabim. Si burrë, do t'i kërkoja popullit serb të na falte”, ka thënë Zeman.

Fushata e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe zgjati 78 ditë dhe për qëllim kishte të ndalte makinerinë ushtarake të Serbisë, e cila deri në atë kohë kishte kryer me mijëra vrasje e qindra masakra mbi shqiptarët në Kosovë.