Arbëri

Serbia liron nga qendra e paraburgimit këshilltarin e PSD-së, Blerim Maçastena

Këshilltari komunal në Podujevë nga radhët e PSD-së, Blerim Meçastena, është liruar nga Qendra e paraburgimit në Prokuple të Serbisë, ku po mbahej që nga dhjetori i vitit të kaluar. Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar nipi i tij, Altin Maçastena, i cili ka thënë se është duke ardhur në Kosovë bashkë me axhën e tij, Blerimin.

“Po është liruar, po nuk mundem me folë asgjë më tepër”, ka thënë shkurt ai.

Blerim Maçastena është arrestuar më 12 dhjetor 2020 në afërsi të fshatit Mirofc nga policia serbe. Atë ditë bashkë me të ishte edhe Berat Mexhuani, i cili ishte liruar më 14 dhjetor 2020. Më 12 dhjetor ata kishin dalë të ecin, por sipas Policisë, për shkak të mjegullës, kanë mundur të çorientohen dhe të futen brenda territorit serb.

Në muajin prill të këtij viti, Blerim Maçastena e kishte dërguar edhe një letër, e cila ishte lexuar në Kuvendin Komunal të Podujevës nga këshilltari i LDK-së Qëndrim Softolli. Nëpërmjet kësaj letre, ai i falënderonte kolegët e tij për interesimin që kishin treguar për të.

“Deri më tani autoritetet e burgut kanë qasje korrekte ndaj meje, me shëndet jam mirë, e di që këto dy gjëra ju interesojnë më së shumti. Familjarët më vizitojnë rregullisht njëherë në javë. Gjithashtu ambasadori i Kosovës në Beograd z.Jetish Jashari më viziton rregullisht njëherë në muaj. Të dy palët më informojnë për zhvillimet në vend. Të dashur shokë e shoqe, nga ju dua ndershmëri në punë, punë të mira për Komunën dhe përkushtim për vendin, ju dëshiroj shëndet e të gjitha të mirat në jetë. Kurse shokut tuaj i mbetet të qëndrojë ashtu si i ka hije, ashtu siç është edukuar nga familja dhe shoqëria”, kishte shkruar në këtë letër Blerim Maçastena.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 Maçastena ka garuar për këshilltar komunal nën siglën e VV-së, por pas largimit të disa zyrtarëve të kësaj partie, Maçastena ishte rreshtuar në PSD.