Arbëri

Kërkohet qartësi në emërime dhe gradime në MPJ

Descriptive Text

Reformën në Shërbimin e Jashtëm Qeveria synon ta shtyjë përpara edhe nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, i cili është pjesë e programit legjislativ për këtë vit. Vëzhgues të punës së Shërbimit të Jashtëm thonë se në ligj duhet të adresohen qartë rastet kur emërohen apo tërhiqen ambasadorët, si dhe çështja e gradimit

Reforma dhe transformimi i Shërbimit të Jashtëm planifikohet të bëhet edhe nëpërmjet ndryshimit të bazës ligjore. Projektligji për Shërbimin e Jashtëm është pjesë e programit legjislativ për këtë vit dhe ai parashihet të miratohet në Ekzekutiv më 31 qershor.

Veç premtimit për rishikim funksional të Shërbimit të Jashtëm, Qeveria në program nuk ka treguar se cilat aspekte të ligjit do të ndryshohen.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se në ligj duhet të potencohen qartë problemet që janë evidentuar dhe po vazhdojnë edhe tani.

“MPJ duhet që sa më parë të fillojë procesin e hartimit të ligjit të ri për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin e Jashtëm. Në atë ligj të ri duhet që të potencohen qartë problemet si çështja e gradimit, dërgimi në misione, tërheqja,... për shkak se ne në të kaluarën kemi pasur vendime që janë bërë shkel e shko, të cilat janë bërë pa asnjë kriter”, ka thënë Emir Abrashi nga “Demokraci Plus”. Sipas tij, në të kaluarën shumë persona nga stafi politik janë shndërruar në staf diplomatik pa asnjë kriter. Ai thotë se do të jetë problem shqyrtimi i këtyre rasteve me legjislacionin aktual.

“Do të jetë problem të bëhen shkarkime për shkak se legjislacioni aktual në fuqi e pamundëson një gjë të tillë. Megjithëkëtë Ministria e Punëve të Jashtme duhet që diku ta fillojë procesin e reformave dhe nuk mund të thuhet se legjislacioni na e pamundëson një gjë të tillë. Por kjo duhet të bëhet pas një analize të thellë. Mendoj se çfarëdo ndryshimesh që bëhet në mënyrë të shpejtë dhe “ad hoc” do të jenë vetëm kalimtare dhe jo afatgjate, për shkak se këta persona më pas zakonisht i fitojnë në gjyq kontestet me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ajo detyrohet të kthehet në pikën zero”.

Sipas tij, edhe tërheqja e ambasadorëve sikurse ndodhi së fundi do të duhej bërë pas një analize të thellë.

Me shkarkimin e 12 ambasadorëve Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve në 18 ambasada prej 32 sa i ka gjithsej. Kjo ka shkaktuar vakuum në përfaqësitë diplomatike e disa prej tyre sikurse Australia nuk ka as të ngarkuar me punë.

Prej shumë vjetësh shumë misione kanë mbetur pa ambasadorë, përfshirë vende të rëndësishme. Qe tre vjet Kosova nuk ka ambasador në Londër e pa të ka mbetur edhe në Uashington, Bruksel, Berlin e Tokio.

Prej disa ditësh KOHA ka pyetur në ministri se kur do të mbushen këto ambasada me titullarë dhe nëse do të ketë edhe rishikim të gradave diplomatike, por ka munguar përgjigjja.

Lidhur me planin legjislativ ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të raportojë të martën në komision parlamentar.

Shumë vendime të paligjshme në të kaluarën kryesisht në rastet e emërimeve dhe gradimeve nga qeveritë e deritashme janë arsyetuar me mungesën e qartësisë ligjore.