Arbëri

Gjatë vitit të kaluar 48 punëtorë shëndetësorë u riinfektuan me koronavirus

48 punëtorë shëndetësorë të SHSKUK-së gjatë vitit të kaluar ishin infektuar për herë të dytë me COVID-19.

Në raportin vjetor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar thuhet se nga 2 mijë e 959 punëtorë shëndetësorë të cilët u infektuan gjatë vitit 2020 nga Covid-19, 48 prej tyre raportuan se ishin infektuar për herë të dytë.

SHSKUK në për një përgjigje për Kohën ka thënë se nga këto riinfektime nuk ka pasur ndonjë rast me fatalitet, derisa gjendja e tyre shëndetësore është përcjellë nga stafi.

“Në bazë të raportimeve nuk kemi ndonjë rast që ka pësuar me fatalitet si pasojë e riinfektimit me Covid-19. “Të gjitha rastet e infektimeve dhe riinfektimeve të punëtorëve me Covid-19, janë paraqitur fillimisht tek institucioni ku është i punësuar dhe sipas nevojës, është përcjellë gjendja shëndetësore e secilit me masat e nevojshme” është thënë në përgjigjen e SHSKUK-së.

Nga 48 punëtorë shëndetësorë të cilët u infektuan për herë të dytë nga Covid-19, 9 prej tyre ishin mjekë, 28 infermierë dhe 11 punëtorë që nuk ishin staf shëndetësor.

Sipas të dhënave të SHSKUK gjatë vitit 2020, nga 2 mijë 959 punëtorë shëndetësorë të infektuar, 2 mijë e 199 u shëruan, ndërsa 12 vdiqën.