Arbëri

Meta del kundër vendimit të SHBA-së për Berishën, e konsideron të porositur

Descriptive Text

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dalë kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i ndalohet hyrja në këtë shtet ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

Më 19 maj, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi publikisht se Berishës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të “veprave korruptive sa ishte në pushtet”. Teksa Berisha paralajmëroi padi ndaj Blinkenit, presidenti Meta e ka quajtur të porositur vendimin e SHBA-së.

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me ‘fletërrufenë’ e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, ka thënë Meta në një postim në Facebook.

Meta ka thënë se për këtë rast i ka dërguar mesazh solidariteti Berishës. Në letrën e tij për Berishën e ka cilësuar akt të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër vendimin për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA, ndërsa ka thënë se kjo lidhet vetëm me “lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.

“Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë”, thuhet në letrën e tij për Berishën.