Arbëri

Në kërkim të fjalëve

Jeta Deva nga Prishtina, para 17 vjetëve ishte studente e vitit të dytë në Departamentin e Psikologjisë dhe fusha e autizmit nuk ishte një terren i njohur për të. Kërkesa e familjes Avdiu në Fakultetin Filozofik për një studente që do të punonte sistematikisht me vajzën e tyre me autizëm, ishte një përvojë e re, e cila nuk mbeti me kaq, por që ia shtroi një rrugë të re Devës. Elena Avdiu në atë kohë 2-vjeçare ishte personi i parë me autizëm që hyri në jetën e psikologes së re. Deva, edhe sot kur e përshkruan takimin e parë me të, emocionet i shpërndahen në çdo lëvizje të fytyrës. Qysh prej takimit të parë, Deva e kishte përqafuar fort praninë e Elenës në jetën e saj. Puna me të u bë shkas që ajo t’i futet studimit e përvojave të reja në fushën e autizmit që për të u bë një labirint, të cilin donte ta hulumtonte vazhdimisht. “Momentin që e kam takuar vajzën, ajo ka qenë dashuri në shikim të parë. E qara e saj më erdhi si një simfoni melodike, e cila tingëllonte skajshmërisht serioze”, tregon Deva teksa u kthehet kujtimeve të para gati dy dekadave.

Puna me Elenën do t’ia diktonte gjithë orientimin në karrierë. Që atëherë, Deva u shndërrua në një avokuese e të drejtave të tyre. Lidhja që krijoi me personat me autizëm i dha Jetës një punë të përhershme pa orar, që në themel e kishte vullnetarizmin për të qenë në çdo kohë pranë tyre. Për familjen e Elena Avdiut, Jeta ka depërtuar shumë thellë te vajza e tyre duke e kuptuar më mirë se vetë familja. Eleonora Avdiu, nëna e Elenës, shprehet se ndër vite kanë qenë dëshmitarë të një raporti të ndjeshëm mes vajzës së tyre dhe psikologes Jeta Deva, e cila i përcjell në çdo sfidë që iu shfaqet.

“Përparimet më të mëdha që ka arritur Elena janë falë punës që e ka bërë Jeta me të dhe mandej Jeta ka qenë si mbështetëse e jona. Edhe sot i referohemi kur kemi ndonjë pyetje. Gjithmonë llogarisim në Jetën, ajo ka qenë gjithnjë një adresë për neve”, ka thënë Avdiu.

Puna me Elenën ia ka mundësuar Jeta Devës që të trajnohet nga ekipet profesionale gjermane. Mbikëqyrësit e procesit terapeutik nga Gjermania kanë bërë që ajo të punojë me metoda plotësisht shkencore. Deva më pas është specializuar në programin Psikologji Klinike dhe Psikoterapi, të ofruar nga Universiteti i Bazelit të Zvicrës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Përvoja me ekspertë të huaj nuk mbeti vetëm brenda konturave të saj. Misioni i suksesit personal ishte që përvojën e saj ta shpërndante edhe te njerëzit e tjerë. Ndarja e njohurive me të tjerët pa kusht, thotë se është ajo çfarë ia ngjall ndjenjën e krenarisë për veten, ani pse Deva gjatë intervistës rrallë e hiç flet në vetën e parë. Të kundërtën e kësaj e vlerëson si një “krim” profesional që nuk do t’ia falte kurrë vetes.

“E kam parë të domosdoshme me e nda çfarëdo njohurie që e di me të tjerët. Këtë e shoh si hapin më madhor. Është krim profesional nëse nuk e përcjell një metodë në një analizë të sjelljes, e cila mund të parandalojë një sjellje problematike dhe mund t’ia lehtësojë jetën dikujt”, thotë Jeta.

Në kohën kur filloi aktivizmin e saj, modeli i asistimit të fëmijëve në çerdhe dhe shkolla me metodat e Analizës së Sjelljes për të konkretizuar integrimin, ishte i pazakontë. Jeta vazhdimisht ka intervenuar edhe te fëmijët e tjerë, të cilët janë mbajtur të ‘fshehur’ për shkak të stigmave sociale.

Vizitat te këta fëmijë i bënte në këmbë, në borë dhe në shi. Kështu ajo depërtonte te çerdhet me edukatorë - te shkollat me mësues dhe arsimtarë e deri te mjediset familjare. Synimi ishte që të nxiste një vetëdijesim në komunitet.

“Fatkeqësisht, akoma ballafaqohem me edukatorë, të cilët mendojnë se sjelljet e personave me autizëm janë të dhunshme dhe agresive, çka është shumë gabim sepse sjellja agresive është ajo që përforcohet e aq më pak te një person me autizëm, i cili fokusin e ka të kthyer kah vetja dhe e ka interesin e vetëm ta arrijë një kërkesë praktike dhe në mungesë të komunikimit, mund ta devijojë komplet problemin”, shpjegon ndër të tjera Jeta.

Hapja e organizatës së parë profesionale nën drejtimin e Jeta Devës

Jeta Deva së bashku me ekspertë të Departamentit të Psikologjisë, në vitin 2012 u dhanë personave me autizëm një adresë të veçantë. Kjo u bë me hapjen e organizatës së parë profesionale që ofron shërbime për personat me autizëm në vend. Për gati një dekadë, Deva është drejtoreshë e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë. Sfidat se sa pak dihet për autizmin kanë bërë që ajo shpesh të shpjegojë se çfarë nënkupton puna dhe profesioni i saj.

“Në momentet e para e kam pasur shumë problem kur më kanë pyetur se çfarë punon, iu kam thënë se punoj me fëmijë me autizëm, me kanë thënë me ‘au- çka’, pra ka qenë një koncept totalisht i panjohur. Gjatë një sondazhi kanë thënë edhe se autizmi është pjesë e kerrit”, shprehet tutje Deva, e cila thotë se sot me gjithë paragjykimet, vetëdija është më e ngritur në këtë fushë.

Në një vend ku për autizmin flitej rrallë, Jeta bisedat më të shpeshta i kishte me profesorin Moshe Landsman. Që prej kohës kur ishte studente, ai thotë se entuziazmi i saj për këtë fushë veçse ka marrë hov.

“Kur e shoh teksa flet për punën e saj me autizmin, asaj i del në pah një bukuri vezulluese dhe kjo është diçka që e bën shumë të veçantë”, ka thënë Landsman.

Deva: Fëmijët me autizëm nuk duhet të identifikohen si fëmijë “me të meta”

Image
Çdo përparim i fëmijëve me autizëm dhe çdo fjalë e re ka qenë një triumf në kauzën e Jeta Devës. Kjo, sipas saj, e ndryshon jo veç jetën e një personi, po ndikon në dinamikën e një familjeje të tërë. Në një rrugë të panjohur që kryqëzohej me shumë sfida, psikologes nga Kosova asnjëherë nuk i ka shkuar mendja të tërhiqet

Deva thotë se të gjitha kampanjat me organizatën, të cilat i drejton i ka bërë duke iu shmangur formës viktimizuese, pasi që sipas saj, kjo e bllokon pavarësimin. Për Jetën e rëndësishme është që fëmijët me autizëm të pranohen, të integrohen në shoqëri dhe të vlerësohen si të veçantë.

“Secili ka disa karakteristika, të cilat nëse pranohen dhe fuqizohen ato pjesë të forta mund të bëhen mrekullira. Fëmijët me autizëm nuk duhet të identifikohen si fëmijë ‘me të meta’ apo me kufizime, sepse ata kanë vetëm një fokusim tjetër, por thellohen në pafundësi”, shpjegon Deva.

Çdo përparim i fëmijëve me autizëm dhe çdo fjalë e re ka qenë një triumf në kauzën e Jeta Devës. Kjo, sipas saj, e ndryshon jo veç jetën e një personi, po ndikon në dinamikën e një familjeje të tërë. Në një rrugë të panjohur që kryqëzohej me shumë sfida, psikologes nga Kosova asnjëherë nuk i ka shkuar mendja të tërhiqet. Në organizatën ku punon numëron rreth katërdhjetë persona që u ofrojnë shërbime në baza ditore e qindra të tjerë që i janë bërë si një familje e madhe.

“Suksesi më i madh është kur një fëmijë që nuk ka qenë në gjendje për gjashtë ose shtatë vjet me thanë asnjë fjalë dhe kur është në gjendje përmes fjalëve dhe fotografive me kërku emrin e vet. Edhe te sjelljet ka pasur fëmijë që kanë qenë në gjendje të qajnë me vite dhe kanë arritur mos të qajnë asnjëherë gjatë ditës”, tregon Deva.

Kur i takon fëmijët me autizëm, edhe shprehja e fytyrës së Jetës merr tjetër pamje. Sfidat janë të dukshme edhe përgjatë një përqafimi që ajo iu dhuron, e gjatë punës së saj dëshmohet se ajo duhet ta ketë edhe shpejtësinë e reagimit fizik. Gjatë rrugëtimit të saj ka synuar që të gjitha metodat e punës t’i ndajë edhe me prindërit. Për të është e rëndësishme që prindi të jetë i pranishëm gjatë punës që ato metoda t’i aplikojë edhe në shtëpi.

“Është e pamundur që ne të intervenojmë nëse prindi nuk i di detajet e reagimit. Edhe nëse ne i trajnojmë dhe u japim dokument në të shkruar është ndryshe kur prindi e sheh vetë. Nëse fëmija vjen në terapi 5 orë, 19 orë të tjera është me prindin”, thekson ajo.

Jeta, me organizatën të cilën e udhëheq, synon ta bëjë një plan i cili do t’ua lehtësonte jetën personave me autizëm dhe t’u mundësohet të gjithëve të japin kontribut në këtë fushë. Ky plan, sipas saj, përfshin një sistem të organizuar ku përmes studentëve të bëhet asistimi i fëmijëve në sistemin e rregullt.

“Në këtë mënyrë përfitojnë të gjithë. Fëmija integrohet, prindi nuk paguan, profesionisti merr përvojë dhe Qeveria dhe Komuna e realizon obligimin e vet që ta bëjë një sistem të duhur për të drejtat e tyre të shkollimit”, ka thënë tutje ajo.

Jeta nuk lodhet së punuari vetëm për kënaqësinë që ia falë progresi i fëmijëve të prekur me autizëm. Çdo fjalë prej tyre ia përpijnë gjithë lodhjen e sfidat. Pavarësisht shpërblimeve për punën e saj, rezultatet e përditshme thotë se janë gëzimi më i madh për të.

“Duke dëgjuar fjalë të para prej secilit fëmijë gradualisht, duke parë ndryshime, duke parë fëmijët duke qenë të gatshëm për t’i marrë gjërat e veta, duke u pavarësuar, ka qenë një projeksion që kur përparimi i tyre ndodhke, ishte një përmbushje shumë e madhe për mua dhe kjo ka qenë vazhdimisht ajo shtysa që s’më ka lënë të dorëzohem, pavarësisht sfidave dhe bllokadave të panevojshme. Duke e paramenduar një sistem të paorganizuar siç jemi ne, me zinxhir të copëtuar është dashur vazhdimisht t’i lidh hallkat mes zinxhirëve të ndryshëm dhe pa kusht me u mundu që me i tejkalu që me bë diçka sa më të prekshme”.

Jeta Deva kërkon që çdo ditë ta bëjë ndryshimin në jetën e personave me autizëm. Pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm, çdo ditë zgjohet duke besuar që ndryshimin nuk mund ta bëjë e vetme. Përditë në përqafimin e tyre e mbështjellë gjithë përvojën dhe dashurinë e saj prej një profesionisteje dhe humanisteje që nuk e lodhin sfidat.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.)