Arbëri

LDK-ja e pavendosur për takimin me Kurtin, PDK-ja paralajmëron konferencë

Descriptive Text

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim lidhur me çështje të rëndësishme për vendin.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi,  i tha KOHËS se ende nuk është vendosur për pjesëmarrjen dhe se publikun do ta njoftojnë më vonë për vendimin që do të marrin.

Kurti u ka dërguar ftesa tre liderëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të enjten, ndërsa vetëm kjo e fundit e ka pranuar atë.

Qeveria nuk ka njoftuar se cilat janë temat e diskutimit, por ka thënë se për çështjet me interes nacional do të konsultohet me partitë opozitare.

Kurti pati thënë më herët se do të thërras partitë politike për të diskutuar rreth procesit të deritanishëm të dialogut Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër, PDK-ja ka qenë e paqasshme në thirrjet e KOHËS. Megjithatë, nga kjo parti është paralajmëruar një konferencë për media gjatë pasdites pa bërë të njohura temën.