Arbëri

Mjekiqi-Sadiku: Qeveria nuk ka qasje serioze karshi opozitës lidhur me procese të ndryshme

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi-Sadiku, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje serioze karshi partive opozitare lidhur me procese të ndryshme, një prej të cilave, dialogu.

Në Deskun e KOHËS, Mjekiqi-Sadiku ka thënë se deklaratat për të ftuar partitë opozitare për të diskutuar lidhur me dialogun me Serbinë nuk janë serioze ndërsa shtoi se Qeveria nuk po do të dëgjojë mendimet e opozitës për këtë proces.

“Po më duket se ka një tendencë nga ana e pushtetit që pavarësisht deklaratave se ndoshta mund të ketë ftesa për opozitën të jetë pjesë e procesin të dialogut, nuk po më duket serioze qasja e Qeverisë karshi partive opozitare. Nuk po flasim për gjëra konkrete, nëse kishte apo jo ftesa, por pavarësisht dialogut, pozita dhe opozita kanë çështje të shumta për të cilat duhet diskutuar vazhdimisht”, ka thënë ajo.

“Nuk po më duket se qasja e tyre është serioze karshi opozitës për të dëgjuar se çfarë në të vërtet ka opozita për të dhënë në procese të ndryshme, sidomos duke konsideruar përvojën e tyre në historinë e zhvillimit të institucioneve të Kosovës”.

Ajo ka thënë se Qeveria duhet të përqendrohet në masat që do të ndërmarrë për jetësimin e programit qeveritar, e jo të kritikoj opozitën.

Kryeministri Albin Kurti pati thënë se do të ftojë edhe partitë në opozitë për të diskutuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.