Arbëri

Berisha i përgjigjet Blinkenit pasi u fut në listën e zezë të SHBA-së: Jam krenar për çdo gjë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pasi u bë e ditur se ai dhe familjarët e tij janë futur në listën e zezë të SHBA-së, që i ndalon ata të udhëtojnë drejt këtij vendi.

Berisha përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjatë 30 viteve aktivitet nuk ka asnjë akuzë ndaj tij, e as ndonjë dyshim për keqpërdorim të fondeve.

“Gjatë 30 viteve në politike nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni. Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër. Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”, ka shkruar Berisha, ish kryetar I Partisë Demokratike, tash deputet i kësaj partie.

Ai foli edhe për kundërshtimin nga ana e tij të projektit për të ndryshimin e kufijve të Kosovës, sipas tij, i përgatitur në Beograd.

“Së fundi, duke mos pretenduar kurrë se unë jam i pagabueshëm, duhet t’ju garantoj se unë ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qenë dhe do te jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta, të cilat unë i kam mbrojtur njëlloj si sot edhe në kohën kur të rinjtë shqiptarë ekzekutoheshin në kufi për realizimin e ëndrrës se tyre amerikane”, shtoi ai.

Sot gjatë ditës, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken, përmes një postimi në Twitter, bëri të ditur se Berishës dhe familjarëve të tij u është ndaluar hyrja në SHBA.

“Në kapacitetin e tij zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha është përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në dëm të besimit publik shqiptar në institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij, dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, tentimeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po e rinkonfirmojë nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, ka thënë Blinken.