Arbëri

Kupina: Kosova, shtet sovran e projekt i përhershëm, të cilën nuk mund ta lëkundë asnjë deklaratë

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, të martën i ka kërkuar falje popullit të Serbisë për bombardimet në ish-Jugosllavi, të cilat nisën gjatë luftës në Kosovë për ta parandaluar gjenocidin.

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo deklaratë e presidentit çek nuk mund t’i zbehë raportet ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes, ka thënë për KOHËN se, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti çek nuk mund ta lëkundë asnjë deklaratë, ashtu si as shtetësinë e Kosovës.

Ai ka shtuar se marrëdhëniet ndërshtetërore duhet të shihen përtej deklarimeve në ndonjë situatë të caktuar.

“Deklarata e presidentit çek nuk mund t`i zbehë raportet ndërmjet Kosovës dhe Çekisë. Marrëdhëniet ndërshtetërore duhet t`i shohim përtej deklarimeve në ndonjë situatë të caktuar. E rëndësishme është se Çekia e ka njohur Republikën e Kosovës në maj të vitit 2008. Pra, është 13 vjetori i njohjes nga Çekia, kurse Republika e Kosovës është shtet sovran, i pavarur dhe projekt i përhershëm, të cilën nuk mund ta lëkundë asnjë deklaratë”, ka thënë Kupina.

Ai ka thënë se krahas intervenimit të NATO-s, “Çekia ka bërë gjënë e drejtë, por edhe ka vepruar në përputhje me këtë obligim ndërkombëtar që njihet si obligim ‘erga omnes’”.