Arbëri

Lugina e Preshevës-Kosova, kërkohet partneritet në biznes

Një delegacion nga Kosova Lindor, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc i udhëhequr nga kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me një grup biznesmenësh po qëndrojnë në Prishtinë, ku sot kanë takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Kryetari Kamberi tha se Lugina e Preshevës po kalon nëpër sfida të rënda në historinë e saj moderne, ku sipas tij, ka një diskriminim perfid që është duke u zhvilluar me një represion ekonomik, transmeton kp.

Për këtë, kryetari Kamberi kërkon krijimin e një partneriteti dhe tregjeve të përbashkëta për të fuqizuar biznesin e Luginës së Preshevës dhe në këtë formë të krijohen edhe vende të reja të punës, sepse në mungesë të perspektivës banorët po largohen nga Lugina drejt Evropës perëndimore. Ai tha se edhe Bujanoci është para një sfide të rrezikshme, sepse në një afat shumë të shkurtër edhe Bujanoci mund të jetë në një gjendje sikur Medvegja e boshatisur. Prandaj, Kamberi tha se autoritetet e Kosovës së bashku me bizneset e fuqishme në Kosovë ta ndihmojnë Bujanocin.

Kryetari i OEK, Gërxhaliu tha se ky është një takim i cili ka rëndësi multidimensionale nga aspekti kohor në momentin kur agjenda politike është e stërngarkuar qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë edhe në regjion.

Gërxhaliu theksoi se është koha kur duhen hapa konkret, sepse vetëm bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi ekonomik i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit mund të jetë garancë e qëndrimit të shqiptarëve në këto treva.

Ai shtoi se takimi sotëm ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se janë në prag të përgatitjeve për Samitin e Berlinit, një takim i cili i dedikohet Ballkanit Perëndimor.