Arbëri

Kërkohet mbështetje financiare nga Qeveria për personat që mbetën pa punë

Descriptive Text

Pesë muaj prej kur ka hyrë në fuqi Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, personat që kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë ende nuk kanë marrë mbështetjen financiare. Ekonomistët vlerësojnë se kjo masë e Ligjit duhet të zbatohet apo të përfshihet në një pako të re financiare të Qeverisë

Shumë masa të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021 kanë mbetur pa u implementuar. Një nga masat që ende nuk ka gjetur zbatim është edhe mbështetja financiare për personat që kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë. Me Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike i cili është miratuar rreth 5 muaj më parë, ishte paraparë që punëtorët të cilët janë larguar apo pezulluar nga puna që nga 29 marsi deri më 30 dhjetor të vitit të kaluar, t’i marrin nga 300 euro për tre muaj. Për implementimin e kësaj mase Qeveria Hoti kishte ndarë 10 milionë euro, por shpërndarja e tyre ka mbetur peng i kritereve të cilat ende nuk janë caktuar. Madje kjo shumë vlerësohet se nuk përkon për së afërmi me nevojat për shkak të numrit të madh të njerëzve që janë larguar nga puna.

Nga Agjencia e Punësimit është bërë e ditur se nga marsi i vitit të kaluar deri më 23 mars të këtij viti janë regjistruar mbi 64 mijë e 265 punëkërkues të rinj, prej të cilëve mbi 22 mijë i përkasin moshës 25 deri 39 vjeç. Koha ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria rreth implementimit të kësaj mase, por ata nuk janë deklaruar.

Sipas ekonomistit, Muhamed Mustafa, moszbatimi i kësaj mase ka ardhur për shkak të mosanalizimit të mirë mes nevojave dhe buxhetit.

“Në përgjithësi zbatimi i programit ka shkuar me vështirësi të cilat janë përcjellë edhe pas aprovimit dhe efekti preventiv në zvogëlimin e pasojave nuk ka qenë edhe aq i suksesshëm. Për arsye se kam përshtypjen që programet janë të dizajnuara në një sfond të gjerë dhe pa qenë selektive ose të përqendruara në ato pika ku dëmet nga pandemia janë më të mëdha”, ka thënë ai.

Mustafa vlerëson se çështja e personave që kanë mbetur pa punë si pasojë e pandemisë duhet të merret me prioritet nga Qeveria në rast të një pakoje të re financiare.

“Sigurisht se kjo është një çështje që duhet të merret në konsiderim. Punëtorët që humbin punën dhe të cilët nuk kanë një mbështetje tjetër ishte dashur të jenë njëri nga elementet e programit. Mjetet jo të shumta që i kemi në disponim nga fondet publike dhe nga buxheti duhet t'i koncentrojmë në vendet së pari ku janë nevojat me të mëdha dhe së dyti ku janë efektet më të mëdha”, ka shtuar Mustafa.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur i zhgënjyer me mungesën e zbatimit të kësaj mase. Ai ka thënë se çdo ditë e më shumë është duke rënë numri i të punësuarve në sektorin privat.

“Përveç që kanë mbetur pa përkrahje personat që kanë humbur punën, ne thërrasim që Qeveria ta kontrollojë se ku kanë shkuar mjetet për pakon emergjente dhe për pakon e rimëkëmbjes ekonomike të cilat kanë qenë të dedikuara për punëtorët e sektorit privat. Mjafton që këto mjete të kthehen në llogaritë e punëtorëve dhe mendoj që do të jetë edhe një mundësi financiare për ndihmesë të tyre”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka shtuar se Qeveria është treguar selektive duke u ndihmuar vetëm bizneseve dhe jo edhe punëtorëve.

“Pjesa dërrmuese mjeteve të pakos emergjente kanë shkuar në llogaritë e kompanive gjithashtu edhe nga fondi për rimëkëmbjen ekonomike pasi që për çdo punëtor çdo kompani ka marrë nga 290 euro dhe punëtorët assesi nuk janë stimuluar, qoftë edhe me 10 cent. Të gjitha të mirat që shteti i ka ndarë konform punëtorëve kanë shkuar në llogaritë e pronarëve të kompanive”, ka deklaruar ai.