Arbëri

Punëtorët e sektorit privat kërkojnë pagë minimale 350 euro, Qeveria u premton 100 euro më pak

Descriptive Text

Sindikata të sektorit privat kanë protestuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar më shumë të drejta dhe siguri për punëtorët. Përmes marsheve të ndara nëpër rrugët e sheshet Prishtinës, është kërkuar edhe ngritja e pagës minimale në mbi 300 euro, themelimi i gjykatës së punës, krijimi i fondit për punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e punës, si dhe trajtim i barabartë me punëtorët e sektorit publik. Ndërsa, Qeveria premtoi rritje të pagës minimale, por jo aq sa kërkojnë punëtorët

Drejtësi, barazi, solidaritet, kanë qenë tri kërkesat kryesore të punëtorëve të sektorit privat gjatë disa marsheve në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Të shtunën, rrugëve e shesheve të Prishtinës ka pasur protesta simbolike kundër shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Siguri në vendet e punës protestuesit kërkuan para Inspektoratit të Punës.

Para protestuesve, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët po sulmohen nga dy pandemi: COVID-19 dhe qeveritë e Kosovës.

“A e dini se çka bën Qeveria jonë për ne? Në momente të caktuara, kur një punëtor humb jetën në vendin e tij të punës, nuk kthen kokën që të shikojë se ky punëtor me pagë 170 euro a mund së paku ceremoninë e varrimit ta kryejë ashtu siç e meriton”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka theksuar se punëtorët punojnë me pagat më të ulëta në rajon dhe me nivel të ulët të sigurisë në vendet e tyre të punës. Paga minimale në Kosovë është prej 130 deri në 170 euro.

“Nuk e ka nënshkruar Qeveria kontratën kolektive, me arsyetimin se nuk ka mjete. Mirëpo, ne tani jemi të detyruar që për familjarët tanë që humbën gjymtyrët në vendin e punës t’i paguajmë serbët që ata të jetojnë, ne po ashtu nuk kemi para të paguajmë as rrymën tonë, por Qeveria kujdeset që t’ua paguajë serbëve”, ka shtuar Azemi.

Rritja e pagës minimale e themelimi i gjykatës së punës për zgjidhjen e problemeve ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, u kërkuan gjithashtu nga protestuesit.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nexhat Llumnica, i ka kërkuar Qeverisë që t’i mbajë premtimet për pagat.

“Kjo qeveri e tanishme ka premtuar që t'i ngrejë pagat në 350 euro, ende nuk kemi parë asgjë. E lus Qeverinë e Kosovës që të ngrihet paga minimale në mënyrë që të ngrihet paga e sektorit privat, sepse janë në gjendje të mjerueshme”, ka deklaruar Llumnica.

Të shtunën u protestua edhe kundër largimit nga puna të disa punëtorëve nga KEDS-i dhe aeroportit “Adem Jashari”. Kryetari i Sindikatës për transport dhe lidhje të Kosovës, Alush Sejdiu, ka thënë se është shqetësuese që shumë punëtorë vazhdojnë të punojnë ditëve të fundjavës.

“Punëtorët në Kosovë punojnë 12 orë, dy orë i kanë transport vajtje-ardhje në punë, katër orë për furnizimin e familjes me pagat e ulëta që i kanë dhe katër orë gjumë – nëse i merr gjumi”, është shprehur Sejdiu.

Qytetarja Adile Rexhepi, e cila mori pjesë në protestë ka thënë se punëtorët e sektorit privat duhet të paguhen njëjtë sikurse kolegët e tyre në sektorin publik.

“Me i pasë pagat e barabarta, sepse ne më herët i kemi pasur njëjtë sikur ata, por na kanë privatizuar”, ka thënë ajo.

Kurse Sejdi Halimi është shprehur i pakënaqur me numrin e vogël të punëtorëve që morën pjesë në protestë.

“Së paku 50 mijë deri në 100 mijë punëtorë sot me dalë dhe me i shpreh kërkesat e tyre. Jo me dalë këtu 50-100 veta, por me dalë edhe 50 mijë edhe 70 mijë pak është”, ka thënë ky qytetar.

Në shenjë simbolike, punëtorët kanë hedhur në tokë mjete mbrojtëse të punës, ndërkohë që pankartat me kërkesat e tyre i kanë vendosur afër ndërtesës së Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti, përmes Facebookut, u ka premtuar punëtorëve rritje të pagës minimale, por jo në vlerë të 350 eurove sa u kërkua në protestë. Kurti ka thënë se paga minimale do të rritet në 250 euro, duke përjashtuar nga tatimi në të ardhurat pensionale.

“Do të marrim masa që të sigurojmë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullta në javë. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës”, ka shkruar Kurti.

Kurti është zotuar se do të punojë për të sjellë punësim e drejtësi në tregun e punës.

“Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës”, ka shkruar tutje Kurti.

Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në të vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia ishte 45 për qind, kurse në vitin 2020 ajo ra në 24.6 për qind. Megjithatë, Kosova vazhdon të jetë vendi me papunësinë më të lartë në Evropë.

Të shtunën, rrugëve e shesheve të Prishtinës ka pasur protesta simbolike kundër shkeljes së të drejtave të punëtorëve.