Arbëri

Me çfarë do të përballet Kosova në dialogun e normalizimit

Descriptive Text

Profesor Dr jur, Dr phil Marc Weller, MA, MALD, PhD, FCIArb

Kosova duket se është gati ta caktojë ekipin e vet negociator për dialogun e ardhshëm me Serbinë, të udhëhequr nga BE-ja. Teksa kryeministri i Kosovës ia ka mësyrë përcaktimit të strategjisë për ekipin, do të ishte me dobi që të merrej parasysh gjendja e përgjithshme politike, ashtu si edhe pozicionet relative dhe interesat e palëve gjegjëse.

1. Interesat

Interesat e të dyja palëve janë dukur të qarta. Kosova dëshiron që ta konsolidojë shtetësinë e saj. Ndonëse është e qartë se e gëzon atë status, prej një numri beneficionesh ndërkombëtare do të mbetet e privuar, përderisa Serbia, sovrania e dikurshme, të mos e pranojë gjendjen “de jure”. Këtu përfshihet anëtarësimi në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, njohja prej një numri edhe më të madh shtetesh, përfshirë “pesëshen e mbetur” të anëtareve të BE-së që kanë refuzuar ta njohin, ashtu si edhe mundësia e pranimit të herëdokurshëm në Bashkimin Evropian.

Serbia, në anën tjetër, dëshiron që t’i parandalojë apo shtyjë të njëjtat gjëra. Ndonëse është e zorshme të mohohet vetë ekzistenca e Kosovës, do të ishte sfidë e madhe për qeverinë në Beograd që këtë ta përkthejë në njohje formale të shtetësisë së Kosovës, krahas ndryshimeve të domosdoshme në Kushtetutën e saj. Kushtetuta i referohet Kosovës si pjesë integrale e Serbisë. Nëse Serbia ia mësyn kësaj sakrifice, atëherë në shkëmbim do të kërkojë koncesione të mëdha nga Kosova, dhe garanca të prera se do të shpërblehet prej Perëndimit. Këtu do të përfshihej garanca e anëtarësimit të shpejtë në BE, po qe se një gjë e tillë dëshirohet nga shumica e popullsisë së Serbisë.

Të dyja palët kanë tentuar ta nënvleftësojnë peshën e tërë kësaj. Kosova ka zbuluar se në të vërtetë mund të jetojë pa njohjen formale nga Beogradi. Ngjashëm, mungesa e përfaqësimit formal në OKB nuk paraqet ndonjë zmbrapsje të madhe. Madje, edhe vazhdimi i zbatimit nominal të rezolutës 1244 (1999) nuk është se ngërthen aq shumë pasoja. Në të vërtetë, pikërisht kjo gjendje ia jep Kosovës nja platformë të rregullt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në formën e rishikimit periodik. Dhe, anëtarësimi në BE është i largët, sido që të jetë.

Beogradi, në anën tjetër, po shfaq mungesë të dallueshme interesimi për anëtarësimin në BE – karota kjo kryesore e shteteve perëndimore për t’i nxitur shtetet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit t’i mbështesin ndryshimet politike. Në vend të këtij anëtarësimi, Qeveria në Beograd është duke i shfrytëzuar lidhjet e forta me Federatën Ruse. Ka shumë të ngjarë që presidenti Putin të vazhdojë t’i qaset Beogradit, duke ofruar stimuj ekonomikë dhe të tjerë për ta parandaluar integrimin euroatlantik të aleates së vetme të ngushtë në zemër të Evropës.

2. Konteksti i ndryshueshëm politik

Sfondi politik për këto bisedime nuk është krejtësisht i favorshëm për Kosovën. Shtetet anëtare të BE-së janë të ankthshme rreth “humbjes” së Serbisë si shtet anëtar potencial. Nga perspektiva e BE-së, çështja e Kosovës është pengesë në procesin e futjes së Serbisë në kampin perëndimor, para se ajo ta humbasë krejtësisht interesimin. Brukseli e ka përfshirë normalizimin e raporteve me Kosovën në mesin e kushteve për anëtarësimin e Serbisë. Rrjedhimisht, BE-ja ndihet e nxitur ta “ofrojë” normalizimin me Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur.

Dialogu në Bruksel, pabesueshëm, është duke vazhduar tash e një dekadë të plotë. Deri më tani, ka sjellë një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve rreth përmirësimeve praktike në raportet midis të dyja shteteve, si në fushën e transportit dhe komunikimit. Sidoqoftë, pak prej teksteve të nënshkruara në Bruksel janë kthyer në realitet.

Kosova është treguar bukur aktive dhe profesionale në faktimin e këtij dështimi të vazhdueshëm në zbatim, duke iu ankuar Brukselit, ndonëse nuk është se ka marrë ndonjë përgjigje domethënëse. Kësisoj është krijuar përshtypja se negociatorët e BE-së thjesht po mundohen t’i plotësojnë fushat, duke pretenduar suksese joreale të shtimit të marrëveshjeve pas marrëveshjeve, pa avancuar në të vërtetë në ndonjërën prej çështjeve me rëndësi për përditshmërinë e njerëzve.

Kosova nga ana tjetër, është kritikuar për dështim në zbatimin e një zotimi të caktuar, të bërë qysh herët gjatë procesit në Bruksel, mu në marrëveshjen e parë të normalizimit më 2013. Në marrëveshjen e 2013-s, të rishpallur më vonë, ajo u zotua ta krijojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Ky koncesion, të cilin Kosova e kishte shmangur me mençuri gjatë negociatave të Ahtisaarit për statusin, ka ngjallur drojën se një shtresë e radhës në administrim do të shtohej ndërmjet autoriteteve qendrore në Kosovë dhe komunave të caktuara. Një drojë e tillë, e përzier me rishikimin kritik nga Gjykata Kushtetuese, të zotimit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka rezultuar me paralizë rreth kësaj çështjeje nga pala kosovare, ashtu si edhe me kritika adekuate nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Entuziazmi i Kosovës për procesin në Bruksel po ashtu është pashitur, teksa mundësia për anëtarësim në BE është larguar prej horizontit. Ndonëse duket e mundur se Serbia do t’ia dalë, pritjet janë që të tjerët do të duhet të presin për një kohë më të gjatë deri në anëtarësim, po qe se anëtarësohen. Franca, njëra prej anëtareve më me ndikim të BE-së, e ka shprehur formalisht këtë lodhje me zgjerimin, duke dhënë sinjale se nuk do të pranojë anëtarësi gjithnjë e më të gjerë. Për më tepër, BE-ja ka dështuar t’i përmbushë premtimet e veta. Për shembull, teksa nxiste Kosovën ta pranojë marrëveshjen kufitare me Malin e Zi, premtoi udhëtim pa viza në shkëmbim. Ai zotim nuk u përmbush kurrë.

3. Raportet me shtetet individuale

Për më tepër, pesë anëtare të BE-së (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vazhdojnë të refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet. Një gjë e tillë e komplikon rolin e BE-së si ndërmjetësuese e sinqertë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo vërehet qartë në rastet simbolike, si vendosja e flamurit të Kosovës në takime zyrtare. Por, një qëndrim i tillë përfshin edhe çështjet e tjera, më përmbajtjesore, duke cenuar supozimin se negociatat po ndërmerren nga BE-ja në raport me dy palë të barabarta.

Kosova ka humbur terren të mëtejmë me zhdukjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Pas njëfarë hezitimi fillestar, Mbretëria e Bashkuar u pat kthyer në një përkrahëse solide të rastit të Kosovës. Për më tepër, Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, do të largohet nga skena politike brenda disa muajsh. Ajo personalisht e kishte marrë përsipër zotimin dhënë Kosovës se Serbia nuk mund të pranohet në BE deri në rregullimin e raporteve të saj me Kosovën. Pasuesi i saj, që pritet të përcaktohet në zgjedhjet e nxehta në Gjermani gjatë kësaj vjeshte, mund të mos e ketë edhe aq përzemër një zotim të tillë.

Shtoja kësaj qëndrimin e administratës Biden, që ende nuk është vënë në sprovë. Presidenti Trump kishte nxitur Beogradin dhe Prishtinën ta pranojnë një marrëveshje disi idiosinkraktike për normalizim të supozuar ekonomik. Ajo përfshinte hapjen e lidhjeve të transportit dhe disa elemente të tjera, bukur të pazakonta. Fjala është për kontrollet për terroristë, shpalljen e Hezbollahut organizatë terroriste, zotimin për të mos blerë nga ofertues, të cilëve s’u zihet besë, të pajisjeve komunikuese 5G (Kina), raportet me Izraelin dhe dekriminalizimin e homoseksualitetit. Sipas marrëveshjes, Kosova po ashtu do të përmbahej për një vit nga synimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në shkëmbim të kësaj, Serbia do të pajtohej për “moratorium një-vjeçar të fushatës së saj të çnjohjeve” të Kosovës.

4. Barasvlera e rreme

Një marrëveshje e tillë e simbolizon në njëfarë mënyre trajtimin, herëpasherë fatmjerë, prej Kosovës të aspekteve të veta të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka tendenca ta pranojë një barasvlerë midis qasjes së saj dhe asaj të Serbisë, ndonëse ato nuk mund të konsiderohen të barasvlershme. Kosova ka plotësisht të drejtë të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Një gjë e tillë është prerogativë sovrane dhe, në të vërtetë, inkurajohet ndërkombëtarisht si provë e gatishmërisë së Kosovës për të kontribuuar në mënyrë konstruktive në marrëdhëniet paqësore ndërkombëtare.

Në anën tjetër, fushata e Beogradit për çnjohje është akt armiqësor që ndërhyn në raportet diplomatike të shteteve të tjera. Sipas përkufizimit, apo çrregullon, në vend se t’i fuqizojë marrëdhëniet ndërkombëtare. Megjithëkëtë, duke u pajtuar ta pezullojë këtë politikë çrregulluese që e sfidon rendin ligjor ndërkombëtar, Serbia e siguroi zotimin e Kosovës për ta ndalur veprimtarinë e saj, krejtësisht të ligjshme ndërkombëtare. Kosova pranoi me përulje një marrëveshje të tillë të pabarabartë, përderisa ka shumë të ngjarë që do të përballet me presion për ta shtyrë edhe pas njëvjetorit të marrëveshjes së Washingtonit.

Administrata Biden pritet të jetë më pak joracionale dhe më e paanshme krahasuar me ekipin Trump. Megjithatë, ka disa aspekte historike të raporteve Kosovë-SHBA që mund të kërkojnë zgjidhje. Mbi të gjitha, ish-qeveria amerikane luajti rol të rëndësishëm në heqjen nga pozita të kryeministrit Albin Kurti, një vit më parë, pas fitores së drejtë në zgjedhjet demokratike. Pas kthimit në pozitë, me një mandat të ri dhe të fuqizuar demokratik, disa qartësime me Washingtonin do të jenë të nevojshme, ndonëse kryeministri i ri ka dhënë sinjalet e duhura në këtë aspekt.

Kryeministri Kurti do të dojë të shpenzojë më shumë energji për ta siguruar SHBA-në rreth synimeve që ka. Raportet e ngushta me Washingtonin, mbi bazën e kryesimit amerikan me fushatën e udhëhequr nga NATO-ja për çlirimin e Kosovës, mbetet shtyllë esenciale e politikës së jashtme të Kosovës. Më parë, ai raport mbështetej pjesërisht mbi lidhjen unike ndërmjet kryeministrit, e më vonë presidentit Hashim Thaçi dhe elementeve të administratës amerikane. Ai raport faktikisht ia mundësoi Shtëpisë së Bardhë ta udhëzojë qëndrimin e Kosovës në një gamë çështjesh me rëndësi kritike.

Ndonëse nuk do të ishte i drejtë synimi për kthimin e një raporti nënshtrues, administratën Biden duhet bindur se mbrojtja më e prerë nga Kosova e interesave të saj është krejt legjitime. Kosova nuk synon në ndonjë mënyrë ta cenojë aleancën e ngushtë me SHBA-në. Kur është në pyetje një gjë e tillë, Kosova do të jetë gjithnjë në krah të SHBA-së. Kjo kërkon kultivimin e kontakteve me SHBA-në në një numër nivelesh, në mënyrë private dhe konfidenciale, me qëllim të ndërtimit të besimit.

Edhe nëse raportet midis Kosovës dhe SHBA-së balancohen, presidenti Biden qartazi preferon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe aleancat. Në këtë rast, ai e ka konfirmuar se BE-ja e ka rolin kryesor në udhëheqjen e dialogut për normalizim. SHBA-ja do të përfshihet, por thjesht si partnere mbështetëse. Kosovës do t’i duhet të nxisë një rol aktiv, mbështetës të SHBA-së. Në të kundërtën, dinamika e brendshme e interesave të BE-së dhe politikave që favorizojnë Serbinë, do të dominojë.

5. Mbingarkimi i Kosovës

Debakli i largimit të Kurtit nga pozita gjatë vitit të kaluar ngre po ashtu një çështje tjetër. Ai ishte pjesërisht i lidhur me vënien nga Kosova të sanksioneve ekonomike kundër Serbisë. Kosova kishte argumentuar se diplomacia agresive e Serbisë ndaj saj, ia dëmtoi interesat deri në atë masë, sa i justifikonte kundër-masat ekonomike. Këto kundër-masa përbëheshin prej tarifave të larta doganore ndaj produkteve nga Serbia. Fitimet serbe nga eksporti pësuan rënie të konsiderueshme. Si rrjedhojë, qeveria në Beograd u përball për herë të parë më presionin prej brenda Serbisë, për ta trajtuar gjendjen në Kosovë.

Megjithëkëtë, rezultati i kësaj meseleje ishte bukur tipik, kur është në pyetje Kosova. Audienca e brendshme kosovare e mbështeti qëndrimin më të sertë të qeverisë, asokohe të udhëhequr nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në vend se ta drejtonte zemërimin ndërkombëtar kah Serbia, e cila e kishte shkaktuar krizën duke e sulmuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, presioni i fortë nga BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët u drejtua kah Kosova. Në fund, kryeministri i porsazgjedhur Albin Kurti, u fajësua për politikat e nisura prej pararendësve të tij dhe ndonëse i hoqi sanksionet në mënyrë graduale, një fakt i tillë luajti rol në largimin e tij, gjatë vitit të kaluar.

Sërish, leksioni që mund të nxirret është se Kosova duhet të mësojë të veprojë në një terren të pabarabartë diplomatik. Vënia e tarifave mund të ketë qenë legjitime. Megjithëkëtë, Kosova nuk i mori parasysh implikimet ndërkombëtare të një politike të tillë. Këtu përfshihej çështja nëse do të ishte në gjendje t’i vazhdojë veprimet e tilla, me gjithë presionin ndërkombëtar që do të nxiste. Detyrimi për zmbrapsjen e politikave të saj, qartazi shkaku i ndërhyrjes nga jashtë në këtë çështje, e dobësoi rëndë pozicionin e Kosovës. Një gjë e tillë dukej se tregonte që Serbia është në gjendje ta përdorë më me efikasitet pozitën që e ka në sistemin ndërkombëtar.

Beogradi ia doli ta largonte fokusin nga veprimet e veta jolegjitime dhe kundërthënëse që qenë sebep i reagimit të Kosovës. Në vend të kësaj, fokusi dhe kritikat ndërkombëtare u drejtuan kah reagimi i Kosovës, i justifikuar të paktën deri në një shkallë. E zeza u bë e bardhë dhe e bardha u bë e zezë. Për më tepër, episodi dukej të dëshmonte se politika e jashtme e Kosovës është e ndërlidhur me udhëzimet e SHBA-së dhe BE-së, gjë që e cenonte pretendimin e saj të të vepruarit në mënyrë tërësisht sovrane. Një episod i tillë ofron disa leksione për Kosovën në lidhje me qëndrimin e saj në negociatat e ardhshme. Ajo duhet t’i shmanget mbingarkesës dhe të mos nxisë konfrontime në rrafshet ku strukturalisht pritet të dështojë.

6. Avantazhi strukturor i Beogradit

Marrë parasysh tërë këtë, çfarë mund të thuhet atëherë për balancën midis Serbisë dhe Kosovës në negociatat e ardhshme? Së pari, Serbia mund të vazhdojë të përfitojë nga pabarazia strukturore e ngërthyer në pretendimin e saj, sado të pabazë faktikisht, se është shtet tërësisht sovran, për dallim nga Kosova. Me apo pa vetëdije, ndërmjetësuesit e BE-së mund të vazhdojnë t’i japin hapësirë tezës së gabuar të Beogradit se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe se kjo është çështja që duhet trajtuar në negociata. Rrjedhimisht, si vazhdon argumenti i tyre, nuk duhet të ketë paragjykime rreth kësaj çështjeje, duke e trajtuar Kosovën si shtet në procesin negociator.

Një gjë e tillë përkthehet në pozitë të privilegjuar të Serbisë përmes përfshirjes së saj në dizajnimin e procesit negociator dhe të agjendës për bisedime, ashtu si edhe mënyrës së trajtimit të të dyja delegacioneve nga BE-ja. Pesë shtetet brenda BE-së që kanë refuzuar ta njohin Kosovën, do t’i nxisin negociatorët e Brukselit që të vazhdojnë me këtë trajtim të pabarabartë.

Në aspekt të frymës së bisedimeve, do të ketë shqetësim të konsiderueshëm në mesin e negociatorëve, se mos Qeveria e re e Kosovës po e ndryshon dinamikën e deritanishme të dialogut. Një insistim i prerë nga Kosova se mundet në mënyrë legjitime t’i mbrojë interesat e saj nga pozita e të barabartit pritet të konsiderohet si pengesë, e jo qëndrim legjitim, si edhe duhet të jetë. Kjo nënkupton se Kosova do të përballet me presion të shtuar për t’i pranuar kërkesat e paraqitura nga Serbia, në mënyrë që ta mundësojë progresin në bisedime. Argumenti do të jetë që Kosova duhet t’i mbajë sytë te çmimi – njohja nga Serbia dhe lehtësimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB. Për ta fituar këtë çmim, ndërmjetësuesit dhe qeveritë mbështetëse të tyre do të argumentojnë se Kosova duhet të ofrojë koncesione përmbajtjesore.

7. Kërkesa për vazhdimin e strukturave paralele

Kur është në pyetje përmbajtja, Kosova do të përballet me presion të madh për t’i rehatuar kërkesat serbe për shkallë të shtuar të vetëqeverisjes territoriale për zonat e banuara kryesisht me serbë. Shumë qeveri vazhdojnë të mendojnë se Serbia disi duhet të kompensohet për “humbjen” e Kosovës dhe se kjo do të ishte një mënyrë kompensimi. Ato nuk po e shohin se Beogradi nuk është edhe aq i interesuar për kushtet e jetesës së serbëve në Kosovë. Çështja nuk ka të bëjë me njerëzit, por me kontrollin mbi territorin.

Për Serbinë, vetëqeverisja për komunitetet serbe nuk nënkupton në të vërtetë vetëqeverisje për serbët e Kosovës. Në vend të kësaj, bazuar mbi praktikat e tanishme, vetëqeverisja e supozuar përkthehet në një strukturë paralele të qeverisjes në Kosovë që financohet, mbështetet dhe kontrollohet prej Beogradit. Ky kontroll do të ushtrohej përmes një versioni të zgjeruar të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përmes dominimit të autoriteteve serbe mbi Mitrovicën e Veriut, dhe përmes ndikimit të Beogradit mbi Kishën Ortodokse Serbe dhe pronat e saj. Rrjedhimisht, qëllimi nuk qëndron te fuqizimi i kontrollit të serbëve mbi jetët e tyre në Kosovën multi-etnike. Në vend të kësaj, synim është fuqizimi dhe legjitimimi i kontrollit të Beogradit mbi zona të konsiderueshme territori brenda Kosovës. Kjo dëshmohet përmes mungesës së interesimit prej Serbisë në dispozitat e avancuara, të ofruara nga Prishtina për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera – dispozita këto të cilat Kosova mund t’i fuqizojë edhe më tutje, nëse kërkohet veprim i tillë prej serbëve apo komuniteteve të tjera.

Argumenti i Kosovës se balancimi i interesave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë është bërë në kuadër të marrëveshjes së Ahtisaarit, e zbatuar në përpikëri nga Prishtina, nuk do të pranohet lehtë prej zyrtarëve të BE-së, sado i arsyeshëm të jetë ai argument. Edhe ashtu, ata kanë shpenzuar vite në përgatitjen për negociata të “zgjidhjes së tyre”, që synon të pasqyrojë një lloj ujdie të madhe. Nëse Serbia e pranon shtet Kosovën, atëherë Kosova duhet të ofrojë kompensim të konsiderueshëm për këtë koncesion, sipas teorisë së tyre.

8. Pikat e presionit

Nëse Kosova duket e paarsyeshme apo obstruktive në raport me këto kërkesa, BE-ja mund të kërcënojë me heqje dorë nga normalizimi dhe heqje të kushtit për zgjidhje Kosovë-Serbi në negociatat për anëtarësim me Beogradin. Në të kaluarën, një mundësi e tillë e ka nxitur Kosovën të lëshojë pe, pa fituar shumë në shkëmbim. Natyrisht se domosdoshmëria për t’ia bërë Serbisë qejfin mjaftueshëm sa për ta pranuar shtetësinë e Kosovës nga ana e BE-së balancohet me kushtin për ta siguruar pajtimin e Kosovës për koncesione të radhës, që do të kërkohen në negociata. Zgjedhja e një kryeministri në Kosovë që njihet si më mospërfillës ndaj presionit perëndimor për kompromise të dhimbshme, e komplikon këtë detyrë, ashtu si edhe fakti se pakkush tani beson që anëtarësimi në BE në një të ardhme të afërt është perspektivë reale për Kosovën.

Në anën tjetër, Kosova strukturalisht mbetet e varur nga vullneti i mirë i Perëndimit. Ekonomia e saj nuk mund ta mbajë veten pa subvencionet e konsiderueshme të BE-së. Siguria e saj nuk mund të garantohet plotësisht pa ombrellën ushtarake të NATO-s në formën e KFOR-it. E ardhmja e Kosovës mund të vihet në rrezik nëse hiqet ndonjë prej këtyre beneficioneve.

Megjithatë, pikërisht ai fakt e bën më pak të besueshëm kërcënimin për një shkëputje raportesh. Evropa Perëndimore nuk ka interes për një shtet të dështuar të Kosovës në zemër të saj.

Në këtë mes hyn edhe leksioni i nxjerrë nga Qiproja. Shkaku i presionit të madh nga Greqia, BE-ja e pranoi Qipron para se marrëveshja e sponsorizuar nga OKB-ja, e kontestit me komunitetin turk rreth ishullit, të pranohej prej të dyja palëve. Kjo e la Qipron (pjesën greke) pa stimuj për finalizim të marrëveshjes, e cila si rrjedhojë nuk është përmbyllur as sot e kësaj dite. Një përvojë e tillë duhet t’ia bëjë të ditur BE-së se do të ishte gabim të pranohej anëtarësimi serb para normalizimit të raporteve me Kosovën. Edhe ashtu, një prej kushteve kryesore për anëtarësim është të mos ketë konteste të pazgjidhura kufitare të shtetit që anëtarësohet me shtetet e tjera. Pretendimi i tërë territorit të një shteti tjetër qartazi do ta shkelte atë kusht.

Marrë parasysh këtë, qeveritë kryesore të BE-së, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do të bëjnë presion të konsiderueshëm mbi Kosovën që të pajtohet me skicën e paraqitur nga ndërmjetësit e BE-së. Dhe ato njëmend kanë peshë dhe ndikim në Kosovë. Por, një gjë e tillë nuk ia kufizon Kosovës hapësirën e manovrimit. Përballë këtyre presioneve, Kosova do të duhet ta zhvillojë një qasje delikate dhe novative karshi negociatave, duke balancuar një qasje të prerë, ndonëse joagresive me një qëndrim të mirë-argumentuar dhe të arsyeshëm. Një gjë e tillë kërkon proces të përshpejtuar përgatitjeje dhe planifikimi që duhet nisur tani.

(Marc Weller është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në Universitetin e Cambridgeit dhe autor i librit “Shtetësia e kontestuar: Beteja e Kosovës për Pavarësi”, Oxford University Press, 2009. Ka shërbyer si këshilltar për Kosovën në negociatat në Rambuje dhe ato të Ahtisaarit. Pikëvështrimet e mësipërme janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e ndonjë qeverie apo institucioni)

Përktheu: Arbana Mjekiqi