Arbëri

Pavarësisht hezitimit, stafi shëndetësor mund të vaksinohet edhe më tutje

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kontingjenti i ardhshëm i vaksinave pritet të vijë në fillim të muajit maj, derisa kanë thënë se në vaksinim do të përfshihen grupet e parapara sipas Planit të vaksinimit, duke u dhënë mundësi vaksinimi edhe punonjësve shëndetësorë. Oda e Mjekëve të Kosovës dhe hulumtuesit e politikave shëndetësore kërkojnë nga institucionet fushatë më aktive për t’i nxitur qytetarët për t’u vaksinuar

Mjekët të cilët refuzuan të marrin vaksinën “AstraZeneca” dhe ata të cilët nuk ishin në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, do ta kenë një mundësi të dytë.

Stafi shëndetësor do të vazhdojë të jetë primare si kategori për t’u vaksinuar, përkundër që një gjë të tillë e patën edhe me ardhjen e kontingjentit të parë në Kosovë.

Derisa kanë bërë me dije se kontingjenti i radhës me vaksina kundër COVID-19 do të vijë javën e ardhshme, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se personeli shëndetësor mund të vaksinohet pavarësisht arsyeve që kanë pasur për të mos u vaksinuar deri tani. “Numri i punonjësve shëndetësorë të vaksinuar deri tani është rreth 5.000. Kontingjentet e radhës të vaksinave kundër COVID-19 do të vijnë në fillim të majit dhe në vaksinim do të përfshihen grupet e parapara sipas Planit të vaksinimit, duke u dhënë mundësi vaksinimi edhe punonjësve shëndetësorë, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të vaksinohen gjatë fazës së parë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga rreth 15 mijë persona, staf shëndetësor sa janë në Kosovë, deri tani sipas MSH-së, vetëm rreth 5 mijë prej tyre janë vaksinuar. Fajin për këtë Oda e Mjekëve të Kosovës ua ka lënë institucioneve shëndetësore, duke thënë se nuk kanë dhënë informacione të mjaftueshme për të qartësuar se kush mund të vaksinohet. Pleurat Sejdiu, nga kjo odë, thotë se ishte dashur që Instituti i Shëndetit Publik e profesionistët e kësaj lëmi me qenë më të qartë.

“Disa prej tyre kanë edhe logjikën e vet, pikërisht për këto është dashtë që Instituti dhe profesionistët e lëmit do të duhej të dilnin me një shpjegim që do të duhej të ishte edhe popullatës”, tha Sejdiu.

Hana Xhemajli, hulumtuese e politikave globale shëndetësore, thotë se nuk duhet të ketë hezitim nga askush për të marrë vaksinën. Por, sipas saj në të ardhmen institucionet shëndetësore do të duhej të punonin për një fushatë sensibilizuese më aktive.

“Është e vërtetë që është pritur më shumë nga IKSHPK-ja që të dalë me një fushatë sensibilizuese që të dalë me një fushatë për informimin e qytetarëve për vaksinimin, metodën e vaksinimin efektin sa mund të zgjasë”, është shprehur Xhemajli.

Kosova deri tani ka pranuar vetëm një kontingjent nga mekanizimi COVAX me 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZeneca” shumica e të cilëve janë administruar.

Në një përgjigje nga COVAX-i, duke mos dhënë shumë detaje vetëm kanë treguar se Kosova ka përfituar 100 mijë doza të “AstraZenecas”, mbi 70 mijë prej të cilëve do të vijnë gjatë majit. Sipas këtij mekanizmi, Kosova do të përfitojë edhe rreth 100 mijë vaksina të tjera të kompanisë “Pfizer”, që pritet të vijnë deri në qershor.

“Në këtë dokument do të shihni se Kosovës i janë ndarë 100.800 doza të AZ (shkurt-maj) dhe 100.620 të ‘Pfizer-BioNTech’ (prill deri në qershor). Për një azhurnim të datave të dorëzimit, ne sugjerojmë të kontaktoni qeverinë tuaj”, thuhet në përgjigje të COVAX-it drejtuar KOHËS.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve, deri tani askush nga të vaksinuarit me vaksinën e “AstraZeneca” nuk ka shfaqur ndonjë efekt anësor apo ndonjë problem shëndetësor.