Arbëri

“Altavia Travel” akuzon për ryshfet “Gjykatën e tenderëve”

Descriptive Text

Mbi “Gjykatën e tenderëve”, kompania “Altavia Travel” ka hedhur akuza për korrupsion. Një ditë pasi KOHA raportoi se Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer në rivlerësim tenderin 5-milionësh për aviobileta, në kompaninë që ishte shpallur fituese kanë thënë se gjatë procesit të shqyrtimit të lëndës u ishin kërkuar 75 mijë euro. Akuzat janë mohuar nga njeriu që e drejtonte OSHP-në në kohën kur është vendosur që ky aktivitet prokurimi të kthehet në rivlerësim

Një akuzë për korrupsion është lansuar një ditë pasi KOHA raportoi se “Gjykata e tenderëve” e ka kthyer në rivlerësim një aktivitet prokurimi, që e bënte kompaninë “Altavia Travel” fitues të tenderit 5-milionësh për aviobileta.

Në këtë kompani thonë se, derisa lënda ishte në shqyrtim, zyrtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit donin ryshfet. Madje, pretendojnë se Blerim Dina, i cili deri para një muaji e drejtonte këtë institucion, nëpërmjet një biznesmeni nga Gjilani, ka kërkuar 75 mijë euro, si kundërvlerë për të mos e kthyer lëndën në rivlerësim.

“I gjithë procesi ka filluar te pronari me dikë të njohshëm prej OSHP-së”, ka thënë Naime Abdulla, nga kompania ‘Altavia Travel’. “OSHP-ja ka thënë: nëse jepni para, ne nuk kemi me e kthy lëndën në rivlerësim. Pasi që ne nuk kemi dhënë para, lënda ka shkuar në rivlerësim”.

Në kompani kanë thënë se rastin e kanë denoncuar tek autoritetet. Por, Policia nuk e ka konfirmuar këtë. Madje, një burim ka thënë se rasti nuk është denoncuar fare.

Blerim Dina e ka mohuar akuzën kundër tij. Ai fillimisht ka sqaruar se OSHP-ja lëndën e ka kthyer në rivlerësim, e me këtë nuk i ka dhënë fund procesit, meqë kthimi në rivlerësim nuk do të thotë se nuk mund të shpërblehet operatori i njëjtë.

Ai ka konsideruar se, lansimi i akuzave, mund të jetë lojë e kompanisë për të përfituar nga procesi i rivlerësimit.

“Ato pretendime, nëse me të vërtetë ekzistojnë, duhet t’i paraqet pranë organeve të ndjekjes e jo pranë gazetës (kjo mund të jetë edhe një lojë e tyre, pasi që ju e thatë se qenkan dajë e nip)”, ka thënë Dina. “Kurrë në OSHP, gjatë mandatit sa e kam udhëhequr, asnjë vendim nuk ka qenë i kushtëzuar”.

“Gjykata e tenderëve”, që e drejtonte Dina, gjeti shkelje në procesin e prokurimit, në të cilin fitues u shpall “Altavia Travel”. Derisa çmimi i tregut për tarifë shërbimi për një aviobiletë është rreth 30 euro, kompania pati ofertë ekstremisht më të lirë – vetëm 6 centë. Nga totali i kontratës 5-milionëshe për 12 mijë e 500 bileta, i bie të arkëtonte vetëm 750 euro.

Vite më herët, e njëjta kompani ishte pjesë e një konsorciumi fitues për shërbime të njëjta. Atëkohë, kishte fituar me tarifë shërbimi 1.25 euro për biletë. Pavarësisht se ky ishte çmim 20 fish më i lartë sesa i tashmi, Agjencia Kundër Korrupsion kishte konstatuar se bëhej fjalë për çmim jonormalisht të ulët, dhe kishte shprehur alarmin se kompanitë fitimin do të synonin ta nxirrnin gjatë zbatimit të kontratës, nëpërmjet manipulimit me çmimin e biletave.

Në “Altavia Travel” thonë se fitimin e nxjerrin nga një burim tjetër.

“Shpenzimet kemi planifikuar t’i mbulojmë përmes incentivave dhe bonuseve që na i ofrojnë aviokompanitë dhe sistemet e ndryshme që i kemi, si për shembull Amadeusi. Ne i kemi pasur kontratat edhe më herët me aviokompanitë të cilat i janë dhënë AQP-së dhe i kemi dëshmitë të cilat i keni parë”, ka thënë Naime Abdulla. “Keni pasur qasje në dëshmitë tona dhe përmes atyre, bonuseve dhe incentivave, kemi me i mbulu shpenzimet. Bonuset dhe incentivat planifikohet të jenë 135 mijë euro”.

Deri në fundvit, e kontraktuar për këto shërbime është “Malësia Reisen”. KOHA raportoi në shtator se për më shumë se 2,200 bileta, institucionet kanë paguar mbi një milion euro, pa pranuar nga kjo kompani dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real, ose nëse biletat ishin shfrytëzuar vërtet ose jo.