Arbëri

Kaqinari: Mungesa e hetimit psiko-social të kryerësit të dhunës çoi në vrasjen e Sebahate Sopi-Morinës

Descriptive Text

Mos forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe mungesa e bashkëpunimit mes autoriteteve përgjegjëse, janë fajtorë për vrasjen e Sebahate Sopi-Morina nga ish-bashkëshorti i saj, më 14 mars të këtij viti, ka thënë Mark Kaqinari, këshilltar i lartë ligjor i cili e ka hetuar këtë rast. Rezultatet e këtij hetimi janë publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, përmes të cilit, shteti bëhet përgjegjës për vrasjen e Sopi-Morinës nga ish-bashkëshorti.

Kaqinari ka deklaruar në “Express Intervista” të KTV-së se në bazë të hetimeve, ka dalë se viktima e kishte paraqitur dhunën nga ish-bashkëshorti, dy herë pranë Policisë së Kosovës, një herë në Gjilan dhe një herë në Graçanicë.

Sipas tij, në të dyja rastet, ka pasur probleme të koordinimit mes autoriteteve përgjegjëse, çka sipas tij, ka quar deri në përfundimin me fatalitet të viktimës.

Ai ka thënë se sikur të ishte bërë hetimi psiko-social i kryerësit të dhunës në familje, ky rast nuk do të përfundonte me vrasje dhe vetëvrasje.

“Kur flasim për rastin e Gjilanit, viktima në momentin e parë deklaron se ish-bashkëshorti ka probleme të shëndetit mendor, tregon se te cili psikiatër vizitohet dhe njofton autoritetet qe dhuna është e vazhdueshme. Viktima kërkon urdhër-mbrojtje. As mbrojtësi i viktimave dhe as prokuroria, e as qendra për punë sociale nuk ka bërë një kërkesë për të bërë një vlerësim të gjendjes psikike të kryesit të dhunës në familje dhe as viktima nuk është strehuar. Gjatë hetimeve, kemi kontaktuar me të gjithë akterët, prandaj kemi ardhur në përfundim se sikur të ishte bërë një hetim psiko-social i kryesit të dhunës në familje, sigurisht se ka mundur të parandalohet ky rast”, ka thënë Kaqinari.

Sipas tij, në rastin e Gjilanit, edhe qendra për punë sociale deklaron se nuk ka qenë e njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje në këtë drejtim.

Ndërkaq, sa i përket paraqitjes së rastit në stacionin policor në Graçanicë, ai ka thënë se në këtë rast, policia ka dalë në teren, por nuk është njoftuar mbrojtësi i viktimës.

“I është mundësuar kryerësit të dhunës që ta kryejë vrasjen meqenëse nuk kemi një vlerësim real të rrezikut. Viktima i ka njoftuar autoritetet që është në rrezik për jetën. Ky rast ka qenë me indikator të rrezikshmërisë së lartë prandaj edhe rezultati fatal ka qenë i pritshëm. Meqenëse këto raste po përfundojnë me viktima një llogaridhënie ka munguar”, ka shtuar Kaqinari.

Vrasja e Sebahate Sopi-Morinës ka ndodhur më 14 mars të këtij viti nga ish-bashkëshorti i saj, Lulzim Sopi i cili më pas kishte kryer vetëvrasje. Ngjarja e rëndë pati ndodhur në lagjen “Kalabria” të Prishtinës.