Arbëri

Homazh për kolegun Prof. Dr. Mentor Dishën

Descriptive Text

Profesor, herën e fundit pas kafes në Gërmi, nuk e di a më the mirupafshim apo lamtumirë… Por, doli lamtumirë.

Kështu e nis shkrimin homazh për Prof. Dr.Mentor Dishën, kolegu i tij Prof. Dr. Osman Sejfiia.

Dibrën, shkruan ai, e njoha para se t’ju njoh ju në prill të vitit 74. Pasi kisha kohë dhe isha kureshtar, pos qytetit vizitova fshatrat Spasë, Bllatë, Banjat e Dibrës, Rostushën, Grykën e Radikës. Nga kazerma deri te Shtëpia e Kulturës vërejta një shtëpi që dallohej prej të tjerave për nga dukja dhe përshtypja. Aty fitova bindjen se dibranët janë diçka e veçantë. Njerëz mikpritës, bujarë, të cilët me stoicizëm përballonin një jetë jo shumë të lehtë, transmeton Koha.net.

Në shtatorin e atij viti, pasi lash Pejën dhe kalova në Prishtinë, u njoha me ju. Kur me thatë se jeni nga Dibra, menjëherë mu kujtuan përshtypjet e Dibrës. Edhe pse nga Dibra kam pasur shumë miq, me ju na lidhi profesioni. Kishim të përbashkët dëshirën që secili nga ne të zhvillojmë fushën tonë, ju farmacinë, ndërsa unë stomatologjinë. Në këtë fushë më keni shërbyer si shembull.

Dy epitete që unë i kam për ju janë, që jeni një njeri, në kuptimin e plotë të fjalës, profesor kulminant dhe prind e familjar i pashembullt. Punën e profesorit dhe të shkencëtarit e bëje pa u vërejtur, pa lëvdata dhe pa imponime, sepse ajo ishte pjesë e karakterit tuaj.

Janë shumë momente për mua dhe shumë të tjerë si unë, që i kujtojmë të mirat e profesorit, por unë do të ndalem në tri:

*Më 1975 u hap dega e stomatologjisë. Për korrektësi, me angazhimin e profesor Musa Haxhiut, më the se e ke ëndërr që të themelohej ndonjë degë e njëjtë me atë të farmacisë. Dr. Musa tha se edhe ajo do të ndodhë…

*Më 1996 – më 27 shkurt të atij viti, profesor Ejup Statovci, që për mua përbën treshen më të mirë të rektorëve të Universitetit të Prishtinës (krahas Dervish Rozhajës, e Gazmend Zajmit) më dha detyrë që të përpiloj plan-programin për Degën e Farmacisë. Detyrën e pranova me një kusht, që në ekip ta kemi profesorin Mentor Dishën. Me sponsorim të profesor Sadi Bexhetit, profesor Mentori së bashku me dekanin e atëhershëm të Fakultetit të Mjekësisë, profesor Zenel Kelmendi dhe unë shkuam në Lubjanë. Miku im Martin Berishaj atje na caktoi takimin te dekani i Fakultetit të Farmacisë. Pasi i shprehëm arsyen e ardhjes sonë, dekani i Farmacisë na këshilloi me dashamirësi se do të ishte më mirë të diskutonim çështjen me dekanin themelues të Fakultetit të Farmacisë, të cilit I telefonoi dhe I tregoi se kush jemi ne dhe arsyen e vizitës. Kur e përmendi emrin e profesorit Mentor, ai tha se unë do të vij nesër dhe gëzohem që do të takoj një kolegë dhe mik timin.

Të nesërmen profesor Mentori propozoi plan-programin tonë. Themeluesi i Fakultetit të Farmacisë pothuajse nuk pat asnjë vërejtje dhe me disa përmirësime që nuk prekte esencën e programit mund të bëhet kompatibil me programin në Lubjanë, ashtu që studentët e diplomuar të mund të vazhdojnë studimet post-diplomike në kryeqytetin slloven.

Si nxënësit e shkëlqyeshëm kur I kryen detyrat me sukses u kthyem në Prishtinë. Me 14 maj të të njëjtit vit, Pleqësia e Fakultetit të Mjekësisë e miratoi plan-programin dhe më 15 maj Senati aprovoi themelimin e Fakultetit të Farmacisë.

Në shenjë respekti m’u drejtua, profesor Osman, prej sot e kam ditëlindjen me këtë datë.

Në vitin 2000 u rrezikua që Fakulteti i Farmacisë të mbyllet, sepse nuk kishte hapësirë për të.

-Osman, çka do të ndodhë me Farmacinë? - më pyeti me shqetësim.

I thashë, profesor ne e kemi krijuar këtë fakultet dhe do ta rrisim. Atëherë ndamë katin e fundit të Fakultetit të Stomatologjisë për t’u vendosur Farmacia. Aty edhe sot funksionon.

Profesor Mentori për mua ishte udhërrëfyes për punë, profesion, përkushtim ndaj familjes, për arsye se veten e vuri ne shërbim të punës së tij pa mëdyshje, hezitim dhe pa u kursyer.

Ai, sipas gjykimit tim, në shkencat biomedicinale i takon grupit të shkencëtarëve eminentë shqiptarë: Dervish Rozhajës, Osman Imamit, Musa Haxhiut, Pëllumb Bitrit, Gjergj Minga,Enver Mustafajt dhe të tjerëve me të cilët ka qenë mik dhe bashkëpunëtor.

mua dhe rrethin tim ishte privilegj të jem miku dhe bashkëpunëtori i profesor Dishës, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Po kush ishte Mentor Sh. Disha (1934-2017).

Farmakolog, doktor i shkencave, profesor universiteti. Lindi në Dibër. Atje kreu filloren, kurse gjimnazin në Tetovë.

Diplomoi në Fakultetin Farmaceutik në Zagreb, më 1963.

Më 1970 ishte kryeshef i Laboratorit Biokimik të Qendrës Diagnostike në Prishtinë. Specializoi Biokiminë mjekësore në Lubjanë në vitin 1973. Më 1975 ishte shef i Laboratorit të Radio-kimisë në Njësinë e Mjekësisë Nukleare të Qendrës Diagnostike në Prishtinë.

Studimet pasdiplomike i mbaroi në Fakultetin Farmaceutik në Lubjanë dhe më 1977 mbron temën e magjistraturës me titull: “Ndikimi i acidit askorbik në nivelin e holesterolit në gjak” (SK).

Më 1978 zgjidhet ligjërues i lëndës Farmakologji me toksikologji në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1985 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë mbron temën e doktoratës me titull: “Hulumtimi i ndikimit të kortikosteroideve në funksionin e gjëndrës mbiveshkore”.

Më 1986 zgjidhet docent, më 1994 profesor inordinar në lëndën e Farmakologjisë me toksikologji. Është koautor i tri teksteve universitare: “Receptura mjekësore”(1985) dhe botimi i dytë (1987), botimi i tretë 2001, “Farmakologjia mjekësore”, 1988, botimi i dytë 1990 dhe “Bazat e farmakoterapisë”, 2000, botimi i dytë 2003. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe kongrese dhe ka botuar mbi 50 punime profesionale-shkencore si autor dhe koautor.

Prof.dr Mentor Disha ka merita të veçanta në hapjen e Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Prof.dr Mentor Disha pensionohet më 2003.

Në vitin 2016, Prof. Mentor Disha u dekorua me Medaljen Presidenciale te Meritave për kontributin e dhënë në shërbimin civil.