Arbëri

Finalizimi i programit qeverisës është premtuar të kryhet javën e ardhshme

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se kanë pranuar të gjitha propozimet e nevojshme për programin qeverisës nga ministritë përkatëse. Pas miratimit nga Qeveria, programi do të procedohet për miratim e për diskutim në Kuvendin e Kosovës

Ashtu siç ua kishte kërkuar kryeministri Albin Kurti, këtë të mërkurë, ministrat e kabinetit të tij i kanë dorëzuar në Zyrën e kryeministrit propozimet për programi qeverisës. Të hënën, kreu i ekzekutivit u ka dhënë kohë dy ditë që të bëjnë një gjë të tillë.

“Ju lutem që deri këtë të mërkurë në mesditë t’i dërgoni te zyra për planifikim strategjik në ZKM dhe te shefi i stafit tim, Luani, versionet finale të planeve tuaja përkatëse”, ka thënë Kurti në fund të mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 26 prill.

Nga Ministria e Arsimit thonë se me planifikimet e bëra synojnë që të rrisin cilësinë në arsim e që për qëllim kanë që programi i tyre të jetë gjithëpërfshirës. Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se për hartimin e planit si ministri përveç punëtorisë në Qeveri kanë punuar edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera.

“I kemi dorëzuar në kohë draftet finale dhe paraprakisht kemi pasur së paku dy punëtori pas punës që kemi bërë në ministri. Kemi përfshirë edhe palët e tjera përfaqësues të institucioneve që janë në vartësi të ministrisë, universitetet, drejtoritë komunale të arsimit, por edhe organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e arsimit, në mënyrë që të sigurohemi që programi jonë të jetë gjithëpërfshirës”, ka thënë Nagavci.

Më tutje ajo ka renditur disa prej objektivave të saj në krye të arsimit.

“Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës në të cilën synojmë edhe implementimin e sistemit të ri të edukimit në nivelin e arsimit të mesëm të lartë, menaxhimi efektiv i arsimit në të gjitha nivelet, arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, e përmirësimi i mjedisit për kërkime, për inovacion disa prej objektivave të saj në krye të arsimit”.

Planifikimet e tyre i ka dorëzuar në Qeveri edhe Ministria e Drejtësisë.

Ndër të tjera, sipas zv.ministres Nita Shala, kanë përfshirë edhe adresimin e krimeve të luftës e dhunës në familje.

“Kemi pesë qëllime strategjike të cilat janë në fushën e Ministrisë së Drejtësisë. E para, është përmirësimi i integritetit në sistemin e drejtësisë përmes vettingut dhe mekanizmave të tjerë. Së dyti, është reformimi si në çështje civile penale edhe administrative. Së treti, është forcimi i profesioneve të lira dhe digjitalizimi. Dy qëllimet strategjike të tjera shumë të rëndësishme janë adresimi i dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe adresimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”, ka thënë Shala, e cila ka shtuar se presin që planifikimet e bëra shumë shpejt të votohen në Qeveri në kuadër të planit e programit.

Lidhur me propozimet e tyre KOHA ka pyetur edhe në ministritë e tjera, por gjatë së mërkurës nuk ka marrë përgjigje. E përmes një përgjigjeje me shkrim nga Qeveria e Kosovës kanë bërë me dije se kanë pranuar të gjitha propozimet e nevojshme për programin qeverisës.

“Jemi në fazën e finalizimit të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilin planifikojmë ta miratojmë në Qeveri javën që vjen. Të gjithë ministrat tashmë kanë përcjellë dokumentet e nevojshme për programin qeverisës. Pas miratimit nga Qeveria, Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të procedohet tutje për miratim e për diskutim në Kuvend të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Mosmiratimi i programit qeverisës edhe pas më shumë se një muaji nga votimi i Qeverisë në Kuvend është kritikuar vazhdimisht nga partitë në opozitë. Ditë më parë nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se programi qeveritar do të duhej të diskutohej qysh në seancën e parë pas votimit të Qeverisë. Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur skeptikë ndaj përmbajtjes së programit që pritet të finalizohet nga Qeveria.