Arbëri

Osmani bisedon me Mortonin, ceket rëndësia e përfshirjes së gjitha grupeve politike në temat e interesit kombëtar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim virtual me ministren britanike për fqinjësi evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton.

Në takim është biseduar edhe për temën e dialogut Kosovë – Serbi, e është potencuar rëndësia e përfshirjes së gjitha grupeve politike në temat e interesit kombëtar.

“Presidentja Osmani dhe Ministrja Morton diskutuan për dialogun me Serbinë dhe potencuan rëndësinë e përfshirjes së gjitha grupeve politike, përfshirë partitë opozitare, në temat e interesit kombëtar”, thuhet nga Presidenca.

Osmani në takim ka potencuar se prioritet i institucioneve është sigurimi i vaksinave antiCOVID dhe ka kërkuar përkrahje nga Britania e Madhe për furnizim me vaksina, duke marrë parasysh se Britania e Madhe është ndër shtetet lidere në botë në vaksinim të popullatës.

Ministrja Morton nënvizoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të raporteve bilaterale.

Më tej, ministrja Morton inkurajoi Kosovën që të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.